Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i Federatës së Futbollit të Kosovës ka ardhur me vendim përfundimtar për ndeshjen, Liria – Vëllaznimi.

Pas përfundimit të këtij takimi, i cili u fitua në fushë nga skuadra prizrenase, tifozët u futen në fushë dhe sulmuan futbollistët e skuadrës gjakovare.

Ky komision ka ndëshkuar klubin e futbollit Liria me dy ndeshje pa prani të tifozëve dhe një gjobë prej 2000 euro, për shkelje të rregullave gjatë organizimit të ndeshjes kundër Vëllaznimit.

Përveç ndëshkimit të klubit, ndihmëstrajneri i Lirisë, Kevin Xhafa, është pezulluar për dy ndeshje nga kryerja e detyrave të tij, pasi që ofendoi dhe fyeu një zyrtar të klubit Vëllaznimi.

Ja vendimi i plotë lidhut me këtë ndeshje:

Nd/ Trajneri i FC ” Liria ”, Kevin Xhafa nr ID 038106. Pas përfundimit të ndeshjes, kur lojtarët mysafirë sulmohen nga tifozët vendas, fyen dhe ofendon drejtorin sportiv të mysafirëve për çka ndëshkohet me karton të kuq direkt. Sipas raportit të personave zyrtar në ndeshjen Liria – Vëllaznimi. Bazuar në nenin 15 paragrafi 1 pika C i Rregullores disiplinore dënohet me 2 (dy) ndeshje mos ushtrim të detyrës zyrtare sipas radhës organizuar nga FFK.

FC ”Liria” – Lëshim në organizimin e ndeshjes: Pas shënimit të golit të vendasve në minutën e 47-të tifozët vendas hedhin fishekzjarrë në fushë duke ndërprerë ndeshjen për disa minuta si dhe pas përfundimit të ndeshjes, disa tifozë të FC “Liria” kalojnë rrethojat dhe hyjnë në fushë për të festuar fitoren, mirëpo disa prej tyre sulmojnë lojtarët dhe stafin teknik të mysafirëve. Si pasojë dy lojtarë të KF “Vëllaznimi” kanë pësuar lëndime. Vlen të përmendet se tifozët vendas prej fushës gjuajnë me mjete të forta tifozët mysafirë të cilët ishin në tribuna. Sipas raportit të personave zyrtar dhe xhirimit televiziv në ndeshjen Liria-Vëllaznimi.

Klubi vendas FC Liria, mban përgjegjësi për rendin dhe sigurinë brenda dhe në afërsi të stadiumit , para , gjatë dhe pas ndeshjes. Për përgjegjësinë për sjelljen e gabuar të spektatorëve të tyre ata janë përgjegjës për incidentet e çdo lloji , me ç’rast i nënshtrohet dënimeve disiplinore.

I.Bazuar në nenin 18 paragrafi 2 pika C të Rregullores disiplinore si dhe nenit 53 paragrafi 1 pika a , pika b dhe pika c i (Rregullores Disiplinore 23/24) ; Dënohet me mos zhvillimin e dy ndeshjeve në fushën e vetë pa praninë e shikuesve sipas radhës organizuar nga FFK .
II.Bazuar në nenin 6 paragrafi 1pika C dhe neni 18 paragrafi 1 pika 1 I Rregullores Disiplinore (ku thuhet: “Klubi vendas mban përgjegjësi për rendi dhe sigurinë para gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes); Dënohet me shumë prej 2000 euro (dy mijë euro). Afati i pagesës është tetë ditë kur vendimi bëhet i plotfuqishëm.