Ndeshja mes Lincoln Red Imps dhe Prishtinës momentalisht është pezulluar dhe pritet vendimi final nga UEFA.

Lincoln Red Imps dhe Prishtina ishte në program që të zhvillohet sonte nga ora 18:00 në stadiumin ‘Victoria’ të Gjibraltarit. Ndeshje kjo e vlefshme për fazën parakualifikuese në Ligën e Europës.

Megjithatë, kjo ndeshje nuk do zhvillohet sipas programit dhe është shtyrë momentalisht deri në një vendim tjetër, shkaku i 8 futbollistëve që rezultuan pozitiv me koronavirus te skuadra nga kryeqyteti i Kosovës. Ky vendim është marrur nga autoritetet e Gjibraltarit, teksa mbetet të shihet se cili do jetë edhe vendimi final nga UEFA.

Megjithatë, Prishtina mund ta fitojë këtë ndeshje me rezultat zyrtar 3-0 dhe të kalojë në raundin tjetër. Sipas rregullores së publikuar nga UEFA, pas rikthimit të futbollit nga pauza e gjatë shkaku i pandemisë, thuhet se kjo ndeshje duhet të luhet më së largu të premten, me kusht që skuadrat të kenë në përbërje se paku 13 futbollistë (përfshirë një portier) të gatshëm për ndeshje.

Gjithashtu, në rast se një skuadër nuk ka aq futbollistë gati për lojë, UEFA u jep mundësinë skuadrave që të ftojnë futbollistë tjerë, të cilët nuk kanë qenë të regjistruar më herët për ndeshje. Nëse dështojnë përsëri, atëherë ndeshje e humbet me rezultat zyrtar ajo skuadër që nuk ka numrin e mjaftuar të futbollistëve.

Në situatën aktuale në të cilën ndodhet Prishtina, ‘bardhekaltërit’ kanë gati futbollistët për ndeshje dhe tani përgjegjësi kalon te klubi i Lincoln Red Imps që si nikoqir/organizator të ndeshjes duhet të gjejnë një vend tjetër për të zhvilluar ndeshjen, pasi që autoritetet e Gjibraltarit nuk po pranojnë që kjo ndeshje të zhvillohet në këtë shtet.