Presidenti i La Ligës dëshiron që çmimi futbollisti më i mirë i vitit ta mbajë emrin e Messit

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, e ka shprehur pëlqimin e tij për idenë e emërimit të një çmimi për futbollistin më të mirë të vitit në ligën spanjolle në nder të yllit argjentinas të Barcelonës, Lionel Messit, për të cilin thotë se është lojtari më i mirë në histori të futbollit.

Messi ka thyer shumë rekorde gjatë karrierës së tij mjaft të suksesshme me Barcelona. Ai e ka fituar pesë herë Topin e Artë, është golashënuesi më i mirë në histori të La Ligës me gjithsej 390 gola dhe e ka fituar titullin e kësaj lige plot nëntë herë.

Çmimet në fund të sezonit të La Ligës nuk janë shpërndarë që nga sezoni 2015/2016, kur ishte aprovuar kërkesa për ta ndryshuar këtë format. Megjithatë, Tebas ka bërë të ditur se kjo gjë mund të ndryshojë përsëri.

“Më pëlqen ideja e emërimit të një çmimi për nder të Lionel Messit. Më pëlqen shumë kjo, do të duhet të mendojmë për këtë gjë. Mendoj se Messi do të jetë futbollisti më i mirë në histori të futbollit, ai veçse është i tillë”, ka thënë Tebas.

“Disa njerëz flasin për Neymarin, por ai tanimë është 26-vjeçar dhe me aq sa mund të mbaj mend unë, Messi filloi të luante për Barcelonën në një moshë të re dhe ai vazhdon të na surprizojë të gjithëve çdo vit”.

“Duket se Messi nuk ka kufij dhe ai e luan çdo ndeshje në nivelin maksimal. Ai është më i miri dhe mendoj se është ide e mirë ta krijojmë një trofe për lojtarin më të mirë të sezonit dhe ta emërojmë pas Leo Messit”.