Pochettino nuk do të ndryshojë qasjen e lojës ndaj Manchester City

Manchester City është favoriti kryesor për të triumfuar në Premier League edhe këtë sezon, por trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino nuk do të ndryshojë qasjen e lojës në përballjen e sontme që zhvillohet në “Wembley” prej orës 21:00.

Tottenhami vjen në këtë takim teksa i ka humbur 10 nga 15 ndeshjet e fundit direkte në Premier League me Cityn, të cilët kanë fituar 7 ndeshje në këtë sezon.

Pavarësisht se skuadra e tij nuk është favorit në këtë takim, Pochettino thotë se nuk do të ndryshojë asgjë lidhur me mënyrën e lojës, edhe nëse i kushton shtrenjtë një gjë e tillë.

“Nuk mund të ndryshoni qasjen ose mentalitetin vetëm se kundërshtari është i mirë sikur Manchester City. Ne do të tentojmë të fitojmë, kur te kemi topin apo jo. Të kemi një strategji dhe të fitojmë ndeshjen është gjëja më e rëndësishme, dhe duke e bërë këtë në mënyrën e njejtë të lojës që e aplikojmë gjithmonë”, tha Pochettino në një prononcim për faqen e klubit në Twitter.

Edhe mbrojtësi i Tottenhamit, Davinson Sanchez ishte në të njejtën sintoni me trajnerin e tij teksa shprehu lumturinë për t’u përballur me lojtarët më të mirë në botë, gjersa synim i tij i vetëm është të arrijnë 3 pikët.