Plas skandali në Spanjë, Barcelona pagoi zv.presidentin e gjyqtarëve për tri vite

Një lajm i bujshëm vjen nga Spanja. Mes viteve 2016 dhe 2018, Barcelona dyshohet se i ka paguar zëvendëspresidentit të shoqatës së arbitrave të La Liga-s 1.4 milionë euro. Klubi katalanas, me një tweet dhe deklaratë të gjatë bëri të ditur se në të kaluarën ka shfrytëzuar edhe bashkëpunëtorë të jashtëm për të marrë vlerësimet teknike të arbitrave.

Kjo pa një motiv të fshehtë, përveçse për të lehtësuar punën e stafit teknik. Duke theksuar se kjo është një praktikë e zakonshme në klubet e futbollit të nivelit të lartë. Por çështja është e hapur dhe polemikat janë ndezur.

Në lojë ishte emri i Jose Maria Enriquez Negreira, një ish-arbitër, i cili pas largimit nga fushat e blerta në vitin 1992 mbeti në botën e arbitrimit, derisa u bë nënkryetar i komitetit teknik të arbitrave spanjollë.

Por gjatë kohës që do ta mbante atë pozicion institucional do të kishte marrë (ndërmjet viteve 2016 dhe 2018) një shumë të madhe parash nga Barcelona. Klubi blaugrana i ka paguar 1.392.680 euro në arkën e kompanisë DASNIL 95 SL. Ka vetëm një aksioner të DASNIL, i cili është José Maria Enriquez Negreira.

Tani, sipas asaj që raportuan “SER Catalunya” dhe “AS”, prokurorët po përpiqen të kuptojnë nëse është e mundur të hetohet një krim i supozuar kundër individit privat. Ndërkohë, Barcelona me një deklaratë shumë të gjatë për shtyp shpjegoi situatën duke u mbrojtur:

“Duke pasur parasysh informacionin e transmetuar sot në programin e ‘Ser Catalunya’, Barcelona bën të ditur se është në dijeni të fakteve të publikuara. Prokuroria po heton për pagesat e bëra ndaj kompanive të jashtme, ndërsa klubi ynë dëshiron të sqarojë se Barcelona ka punësuar në të kaluarën shërbimet e një konsulenti teknik të jashtëm, i cili ka ofruar, në formatin video, raporte teknike duke iu referuar lojtarëve të kategorisë më të ulët në Spanjë për sekretariatin tone teknik”.

Dhe mbi të gjitha bëri të ditur se “marrëdhënia me furnizuesin e jashtëm është zgjeruar me raporte teknike që kanë të bëjnë me arbitrimin profesional për të integruar informacionin e kërkuar nga stafi teknik i ekipit të parë, një praktikë e zakonshme në futbollin profesionist.

Aktualisht ky lloj shërbimi i jashtëm i takon një profesionisti të caktuar në Zonën e Futbollit. Barcelonës i vjen keq që ky informacion shfaqet pikërisht në momentin më të mirë sportiv të këtij sezoni. Barcelona do të marrë masa ligjore kundër kujtdo që prish imazhin e klubit me insinuata që mund të rrjedhin nga ky informacion”.