Përkeqësohet deficiti tregtar me Qeverinë Kurti, importuam mbi 930 milionë dhe eksportuam veç 163 milionë euro për dy muaj

Diferenca mes importit dhe eksportit të mallrave ka qenë e madhe për Kosovën edhe gjatë  muajit maj. Sikurse muajt e tjerë të vitit, edhe ky muaj ka qenë “muaj i zi” për shtetin tonë. Në muajin e kaluar janë importuar mbi 443 milionë euro mallra, janë eksportuar vetëm 76 milionë. Kurse, gjatë muajit mars janë importuar 494 milionë euro janë eksportuar 87 milionë euro.

Në dy muajit e fundit të këtij viti, Kosova ka pasur një deficit të frikshëm tregtar.

Sipas raporteve të publikuara nga Agjencia e Statistikave, del se Kosova gjatë muajit mars dhe maj ka performuar tepër keq tek importi dhe eksporti i mallrave, shkruan Demokracia.com.

Sipas ASK-së, eksporti i mallrave në muajin maj 2022 kishte vlerën e 76 milionë euro, ndërsa importi 443.8 milionë euro.

“Eksporti i mallrave në muajin maj 2022 kishte vlerën 76 milionë euro, ndërsa importi 443.8 milionë euro, është një rritje prej 31.5 për qind për eksport si dhe 21.3 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021”, thekson raporti, përcjell Demokracia.com.

Edhe më keq ishte muaji mars.

Këtë muaj e gjithë vlera që bizneset kosovare arritën të shesin në shtetet tjera ishte afër 87 milionë euro. Ndërkaq, kanë importuar mallra në vlerë prej afër 494 milionë euro, çka shënon rritje prej 43.3% për eksport dhe 29.1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

Në një përllogaritje të thjeshtë del se Kosova në muajin maj dhe mars ka blerë mallra në shtetet e tjera të botës në një vlerë prej mbi 930 milionë euro. Kurse, po në këta dy muaj, ka shitur mallra në vlerë të vetëm 163 milionë eurove.

Agjencia e Statistikave ka treguar se deficiti tregtar i Kosovës gjatë muajit maj krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është thelluar për 20 për qind.

“Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 19.4 për qind në muajin maj 2022, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2021”, thotë raporti i ASK-së.

Po ashtu, sipas ASK-së, deficiti tregtar ishte tepër i lartë edhe në muajin mars, ku kishte kaluar mbi 26 për qind.

“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 26.4% në muajin mars 2022, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 405.3 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 320.7 milionë euro në vitin 2021”, thuhet ndër tjera në raportin e rregullt të ASK-së.

Ku dhe çka importoi dhe eksportoi Kosova në muajin maj?

Në këtë raport është treguar se çka ka eksportuar dhe importuar më së shumti Kosova gjatë muajit maj.

Nga të dhënat e eksporteve, metalet bazë prej 27.1 për qind, ndjekur me 18.7 për qind për artikujt e ndryshëm të prodhuar, plastika me 16.1 për qind, produktet minerale prej 8.6 për qind, ushqimet prej 7.2 për qind dhe 4 për qind për artikujt prej gurit dhe qeramikës.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import, 17 për qind janë për produktet minerale, 11.5 për qind për makineritë, 10.6 për qind për ushqimet e përgatitura, 9.9 për qind për metalet bazë, 8.3 për qind për plastikë, 7.9 për qind për mjetet e transportit dhe 6.8 për qind për produkte të industrisë kimike.

Eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian arritën në 22.5 milionë euro ose rreth 29.6 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 4.8 për qind. Partnerët kryesorë për eksport janë nga Gjermania më 10.1 për qind, Italia më 6.1 për qind dhe Holanda më 2.3 për qind, raporton Demokracia.com.

Në anën tjetër, importet ishin rreth 188.6 milionë euro apo 42.5 për qind e importeve të përgjithshme me një rritje prej 14.3 për qind. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga Gjermania më 11.5 për qind, Greqia më 6.4 për qind dhe Italia më 5.1 për qind.

Në muajin maj 2022, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 31 milionë euro ose 40.8 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 38.8 për qind. Partnerë kryesorë për eksport janë Maqedonia e Veriut me 15 për qind, Shqipëria me 13.5 për qind, Serbia me 7.3 për qind dhe Mali i Zi me 3.8 për qind.

Kurse importet arritën në 82.8 milionë euro apo 18.7 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 7.5 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë ishin Serbia me 7.2 për qind, Maqedonia e Veriut me 5.1 për qind dhe Shqipëria me 4.7 për qind.

Për sa i përket eksporteve të Kosovës me vendet tjera arritën në 22.5 milionë euro ose 29.6 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vendet për eksport vlen të përmendën SHBA-ja me 14.3 për qind dhe Zvicra me 7.4 për qind.

Në fund, importet me këto vende arritën në 172.4 milionë euro ose 38.8 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia me 11.7 për qind dhe Kina me 9.8 për qind.

Serbia dominoi tregun edhe në muajin mars

Në anën tjetër, gjithë vlera që bizneset kosovare arritën të shesin në shtetet tjera për marsin e 2022-ës është afër 87 milionë euro. Ndërkaq, kanë importuar mallra në vlerë prej afër 494 milionë euro, çka shënon rritje prej 43.3% për eksport dhe 29.1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

Ajo çka kosovarët arrijnë të shesin më shumë janë metalet bazë dhe artikujt e tyre, pastaj plastikë e goma dhe artikujt që dalin prej tyre, pastaj ushqimet e përgatitura, pije e duhan.

‘‘Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 28.0% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 23.7% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 3.2% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.8% e përbëjnë produktet minerale, etj.”.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import janë produktet minerale; metalet bazë dhe artikujt prej tyre, makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, produktet e industrisë kimike, plastika, goma dhe artikujt prej tyre, mjetet e transportit, etj.

‘‘Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 25.2 milionë euro, ose rreth 28.5% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 27.2%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (7.2%), Italia (5.5), Austria (3.5%), etj.’’, thonë të dhënat e ASK-së për muajin mars të këtij viti.

Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 205.4 milionë euro, ose 41.6% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 11.1%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania (10.6%), Greqia (4.8%), Italia (4.5%), etj.

Në muajin mars 2022, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 34.1 milionë euro ose 38.6% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 40.5%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin Maqedonia e Veriut (14.1%), Shqipëria (11.0%), Serbia (7.7%), Mali i Zi (4.5%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin mars 2022 arritën në 93.2 milionë euro, ose 18.9% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 30.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Serbia (6.5%), Shqipëria (5.8%), Maqedonia e Veriut (5.3%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 29.1 milionë euro ose 32.9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden SHBA (19.3%) dhe Zvicra (6.7%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 195.2 milionë euro, ose 39.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia (13.8%) dhe Kina (10.5%)./