Përgjegjësia për vrasjen e shtatzënës në oborr të Spitalit – MSH e SHSKUK s’e thonë asnjë fjalë

Shteti ka dështuar ta mbrojë edhe një viktimë të dhunës në familje. Hamide Magashi, një grua shtatzënë e moshës 35-vjeçare është vrarë në oborrin e QKUK’së, edhe pse Gjykata Themelore e Ferizajt kishte lëshuar urdhër mbrojtje për të. I dyshuar për vrasjen është ish-burri i saj, Sokol Halili, i cili ende ndodhet në arrati. Sipas Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje, për ta zbatuar urdhrin mbrojtës, në mënyrë që viktima të mbrohet, organ kompetent është Policia e Kosovës.

Një vrasje makabre që është kryer të mërkurën në oborrin e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, ka tronditur gjithë vendin. Sokol Halili dyshohet se ka vrarë gruan e tij, Hamide Magashin, e cila ishte në javën e 41’të të shtatzënisë.

Viktima dhe i dyshuari ishin divorcuar, shkaku i dhunës së vazhdueshme psiqike e fizike. Shkaku i dhunës që i dyshuari ushtronte ndaj saj, 35-vjeçarja kishte paraqitur kërkesë për urdhër mbrojtje në Gjykatën Themelore të Ferizajt, bazuar në Ligjin për Mbrojtje nga dhuna në familje.

Gjykata ia kishte miratuar kërkesën dhe kishte lëshuar aktvendim për urdhër mbrojtje, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve. Sipas kësaj gjykate, ky urdhër ishte lëshuar më 13 shtator dhe vlente deri më 13 mars të vitit 2023.

“Gjykata pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse sipas nenit 5 dhe 6 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2023”, ka konfirmuar Gjykata.

Por, pavarësisht këtij urdhri, i dyshuari i është afruar dje viktimës kur ajo kishte dalë për të blerë diçka dhe e ka vrarë.

Sipas Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje, për ta zbatuar urdhrin mbrojtjës, në mënyrë që viktima të mbrohet, organ kompetent është Policia e Kosovës.

“Organ kompetent për ekzekutimin e masave mbrojtëse është Policia e Kosovës”, parasheh paragrafi 6 i Nenit 3 të këtij Ligji.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë, për të marrë informacione se kush është përgjegjës për sigurinë në këtë institucion, nëse ka prezencë policore apo si veprohet nëse ndonjë pacientë ka urdhër mbrojtës, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka marrë përgjigje nga asnjëra prej këtyre institucioneve.

Për rastin është deklaruar tek dje Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës për këtë rast.

Sveçla ka deklaruar se ka kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti në secilën instancë.

“Po ashtu, që nga momentet e para e në vazhdimësi kam kërkuar raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër. Në të njëjtën kohë kam kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti në secilën instancë. Pa asnjë dilemë, sapo të pranoj zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar se tashmë ka nisur hetimet për zyrtarët policorë, të përfshirë në trajtimin e këtij rasti.

Zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka tha për Express se ata janë angazhuar për të grumbulluar të dhënat për veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve policorë për rastin.

“Ju konfirmojmë se Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar filluar një hetim paraprak dhe ka autorizuar një grup hetimor të veçantë të zyrtarëve nga dy nga departamentet operative të IPK-së (Departamenti i Hetimeve dhe Inspektimeve) të cilët janë angazhuar në grumbullimin e të dhënave lidhur me veprimet apo mos veprimet e zyrtarëve policorë në trajtimin e rasteve që lidhen me incidentin në fjalë. Veprimet tjera do të ndërmerren bazuar në autorizimet ligjore të Inspektoratit Policor të Kosovës në koordinim me institucionet tjera relevante”, tha Beka.

Për këtë vrasje makabre është deklaruar edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo e ka fajësuar prokurorinë për këtë rast.

“Kemi diskutuar për veprimet institucionale në raport me këtë rast, më lejoni t’iu njoftoj se sipas informacioneve të PK-së, viktima e kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë fizike dhe psiqike dhe prokuroria personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt. Është një papërgjegjësi institucionale, është një papërgjegjësi e prokurorit të rastit sepse ne vazhdimisht po bëjmë thirrje që të mbrohen jetët e grave dhe vajzave. Sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë mund të jetë parandaluar. Kemi edhe disa informacione, të cilat nuk mund ti bëjë të ditura për shkak të hetimeve, uroj të më mirëkuptoni. Por iu garantoj, secili prej institucioneve, qoftë nga policia, qoftë nga MSH, qoftë nga qendrat për punë sociale janë të obliguar dhe kanë marrë përgjegjësi që të verifikojnë secilin veprim institucional”, tha ajo.

Haxhiu ka paralajmëruar edhe se do të ketë shkarkime e dorëheqje.

“Në momentin që do të verifikohet dështimi institucioni, hallka që ka dështuar, personi përgjegjës do të jap dorëheqje. Të gjithe në që jemi në pozicionet që mbajmë, kemi përgjegjësi në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kompetencat janë të ndara, por iu garantoj që nëse shohim që ka dështu dikush, do të këtë dorëheqje, do të ketë shkarkim. Por ta keni parasysh, që edhe në rastet e kaluara janë kërkuar dorëheqjet dhe shkarkimet kur ka dështuar prokuroria. Asnjë dorëheqje, asnjë shkarkim. Dhe kjo neglizhencë po i inkurajon kriminelët, vrasësit”, ka deklaruar Ministrja./Gazeta Express