Ballkani ka prezantuar të martën futbollistin nga Mali i Zi, Armin Boshnjak si përforcim të madh.

Por, ai në vendin e tij, pos si futbollist, njihet edhe për një skandal që e ka shkaktuar bashkë me dy lojtarë të tjerë derisa luante me ekipin Jedinstvo, më 2015.

Sipas gazetës “Vijesti”, Boshnjak, tash 26 vjeç, së bashku me Vladan Çujoviqin dhe Enver Rizvanoviqin, ishin akuzuar për rrahjen e një taksisti në qytetin Bjelopole, në orën tre të mëngjesit.

Sipas raporteve të asaj kohe, të tre futbollistët ishin lënë të lirë vetëm tri orë pasi u ishte caktuar masa e arrestit për një muaj.

Taksisti ishte ankuar se futbollistët ishin liruar falë lidhjeve të tyre.

“Unë po qëndroj shtrirë i palëvizshëm, e ata po shëtisin nëpër qytet. Si ta përballoj një padrejtësi të tillë”, kishte thënë taksisti Nesho Jaqimoviq për “Vijesti”.

Arsyetimi për lirimin e tyre ishte se “nuk ka arsye për mbajtje të mëtutjeshme” dhe se arrestimi pas incidentit u bë “për të mos ndikuar në dëshmitarët e ngjarjes”.

Armin Boshnjak, sipas njoftimit të Ballkanit në Facebook, ka firmosur për tri vite me skuadrën nga Suhareka.

Në Mal të Zi ka luajtur për skuadrat Jedinstvo, Iskra, Rudar dhe Zeta.

“Kemi knaqësinë t’ju informojmë se mesfushori ofensiv nga Mali i Zi, sot në ambientet e klubit ka firmosur kontratë e cila e lidh me klubin për tre vite të ardhshme. Armin Boshnjak ka qenë pjesë e klubeve në ligat e Malit të Zi, si: FK Jedinstvo, FK Iskra, FK Rudar, FK Zeta. Me klubet Rudar dhe Zeta ka përvojë ndërkombëtare pas që ka luajtur në Evropë me këto klube. Ishte pjesë e përfaqësueses së Malit të Zi për grupmoshat U-17 dhe U-19. Na priftë e mbara Armin”, thuhet në njoftimin e Ballkanit.

Ballkani stinorin e shkuar ishte deri në xhiron e fundit në garë për titull. Në fund përfundoi në pozitën e tretë, pas Dritës kampione dhe Gjilanit. Po ashtu luajti edhe në finale të Kupës, ku u mposht nga Prishtina.