kriza

“Perezi s’ka ndërgjegje, i shkatërroi Spanjën dhe Real Madridin për 4 muaj”

Një analist spanjoll dhe ish-futbollist i grupmoshave të reja të Barcelonës e ka kritikuar ashpër presidentin e Real Madridit, Florentino Perezin, duke e akuzuar se është fajtori kryesor për dështimet e mëdha të ekipit kombëtar të Spanjës dhe Real Madridit.

Marc Crosas, i cili ka qenë pjesë e akademisë së Barcelonës para se të luante për Celtic në Skoci, ka shkruar në Twitter pas fitores bindëse 5-1 të Barçës ndaj Real Madridit, duke e kritikuar Perezin për mënyrën sesi e ka emëruar ish-trajnerin e Spanjës, Julen Lopeteguin, vetëm pak ditë para nisjes së Kupës së Botës në Rusi këtë verë.

Po ashtu, ai e kritikoi presidentin edhe për menaxhimin e dobët të skuadrës aktuale të Real Madridit.

“A ka Florentino [Perez] ndërgjegje të pastër? Brenda katër muajve, ai e shkatërroi ekipin kombëtar të Spanjës dhe ekipin më të mirë të Real Madridit në historinë e kohëve të fundit. Nëse shkon për të luajtur në Camp Nou, bëje me një paraqitje si në pjesën e dytë. Lopetegui i gjorë. Barça solide dhe vdekjeprurëse përkundër se mungoi Messi, por paraqitje madhështore të Suarezit dhe Jordi Alban”, shkroi ai.