Pavarësisht interesimit të Milanit, Rashica do të qëndrojë te Werder Bremeni deri në fund të sezonit

Milot Rashica do të qëndrojë te Werder Bremeni të paktën deri në fund të këtij sezoni, pasi që agjenti i tij, Altin Lala, dhe drejtori sportiv i klubit gjerman, Frank Baumann, e kanë hedhur poshtë mundësinë e largimit të tij gjatë afatit kalimtar të janarit.

Paraqitjet mbresëlënëse të Milot Rashicës me Kombëtaren e Kosovës dhe me Werder Bremenin kanë ndikuar që shumë klube të interesohen për transferimin e 23-vjeçarit gjatë afatit kalimtar të janarit.

Ndër klubet më të mëdha të Evropës që është raportuar se po e vëzhgon situatën e Rashicës në Bremen është gjiganti italian, Milan. Mirëpo, agjenti i yllit kosovar, Altin Lala, e ka përjashtuar mundësinë që klienti i tij të largohet nga klubi gjerman në janar.

“Ndoshta ata janë të interesuar, por largimi gjatë dimrit është i pamundur”, ka thënë Lala, në një deklaratë të dhënë për gazetën e madhe sportive në Gjermani, Kicker.

Drejtori sportiv i Bremenit, Frank Baumann, gjithashtu e bën të qartë se Rashica do të qëndrojë në skuadrën e tij deri në fund të sezonit, mirëpo është i vetëdijshëm se klubi mund të mos mundet ta mbajë kosovarin deri në fund të karrierës së tij.

“Hapi i tij i radhës do të vijë në ndonjë pikë, mirëpo përfundimisht jo këtë dimër”, ka thënë Baumann.

Rashica i ka bërë tetë paraqitje për Bremenin këtë sezon, duke i regjistruar gjashtë gola dhe dy asiste. Kontrata e tij me gjermanët është e vlefshme deri më 30 qershor të vitit 2022.

loading…