Paris Saint Germain i ka fituar 13 ndeshjet e para në Ligue 1, por trajneri Thomas Tuchel beson se skuadra e tij është në gjendje të bëjë më mirë.
Parisienët tashmë kanë vënë rekord për më së shumti fitore rradhazi në startin e sezonit në 5 kampionatet më të rëndësishme në Europë, teksa ndodhen 13 pikë përpara ndjekësit të parë Lilles, një tjetër rekord ky në elitën e futbollit francez.
PSG triumfoi 0-4 të dielën ndaj Monacos duke e futur në krizë të thellë skuadrën e Thierry Henrys, por Tuchel ka kërkuar nga lojtarët e tij ngritje të intensitetit të lojës.
“Jam shumë i lumtur me fitoren dhe me faktin se e kemi arritur fitoren e 13-të rresht, është e jashtëzakonshme. Në anën tjetër isha i zhgënjyer me intensitetin, strukturën dhe kualitetin tonë në pjesën e parë. Monaco ka mundur të shënojë dy gola, në pjesën e dytë ishim më serioz. Rezultati është i mrekullueshëm por ka mundur të jetë më mirë”, theksoi Tuchel.
Edinson Cavani ishte ylli i mbrëmjes në fitoren e PSG-së duke shënuar 3 gola në rikthimin e tij nga lëndimi në kofshë që e mbajti jashtë fushave për 2 javë, me sulmuesin uruguain që numëron 8 gola këtë sezon në Ligue 1.
“Nuk ishte e lehtë ndaj Monacos, pas ndeshjes mund të thuhet diçka e tillë por në fakt nuk ishte. Jemi të vetëdijshëm që Monaco nuk po kalon nëpër një formë të mirë. Motivimi i tyre ishte të kalojnë nga kjo situatë. Ne shënuam në momente të rëndësishme që na mundësoi fitoren”, përfundoi Cavani.
Klubi nga kryeqyteti francez përndryshe nga Ligue 1, në Champions League ka pasur formë me ulje ngritje derisa pas 4 xhirove në grupin C ka grumbullluar 5 pikë në vendin e tretë.







