Anësori francez

Pavarësisht aktivizimit të opsionit për rinovimin e kontratës, e ardhmja e Martial nuk do të jetë te United

E ardhmja e Anthony Martial mbetet të jetë e pa sigurtë, përkundër që Manchester United aktivizoi opsionin për zgjatjen automatike të kontratës edhe për një vit.

Klubi nga “Old Trafford” përdori opsionin që i lejon rinovimin deri në fund të sezonit të ardhshëm, por agjenti i Martial mbetet pesimist lidhur me një qëndrim të gjatë të klientit të tij te 20 herë kampionët e Anglisë.

United në këtë mënyrë parandaloi largimin e anësorit francez si transferim i lirë, por agjenti i futbollistit, Philippe Lamboley ka zbuluar se është i pakënaqur me kushtet e ofruara në diskutimet për zgjatjen afatgjate të kontratës.

“Jam shumë pesimist lidhur me ndonjë zhvillim poztiv nga disuktimet për kontratën. Ata tashmë na kanë dërguar oferta që janë shumë larg kërkesave tona. Në këto momente jemi shumë larg arritjes së një marrëveshjeje”, nënvizoi agjenti i Martial.

Martial ka pasur një sezon pozitiv deri në këtë fazë, derisa është golashënuesi më i mirë i skuadrës me 7 rrjeta në 9 ndeshje si startues në Premier League.

Ish lojtari i Monacos ka pasur disa mosmarrëveshje me trajnerin Jose Mourinho, me 23 vjeçarin që nuk iu kishte bashkuar grumbullimit të “Djajve të Kuq” në SHBA gjatë verës në fazën parapërgatitore për shkak se i kishte lindur djali.

Së fundmi Martial është ballafaquar me një lëndimi të pësuar në ndeshjen ndaj Arsenalit para dy javësh ndërsa u fut në lojë vetëm si zëvendësues në humbjen e fundjavës së kaluar kundër Liverpoolit.