Milorad Dodik

Pas miratimit të rezolutës që njeh gjenocidin në Srebrenicë, Dodik thotë se serbët do të shkëputen nga Bosnja

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar sot pro rezolutës që njeh gjenocidin serb në Srebrenicë.

Presidenti i entitetit të Bosnje-Hercegovinë, Republikës Serbe (RS), Milorad Dodik tha se Rezoluta për gjenocidin e Srebrenicës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) dështoi, sepse projekt-rezoluta nuk arriti të merrte as shumicën.

“Afro 110 vende nuk votuan, ishin kundër ose abstenuan. Kjo është një rezolutë e dështuar dhe kjo do të thotë se OKB-ja nuk e mbështeti atë. Plani i tyre për të imponuar gjenocid dhe s’kualifikim moral mbi serbët nuk pati sukses”, tha ai.

Dodik deklaroi se amerikanët do të thonë se mjaftojnë 84 vota “për”, por i pyeti se “në çfarë parimi mjafton kjo”, raporton N1.

“A është sipas parimit demokratik? Epo, në Perëndim na mësohet se shumica demokratike është ajo që është më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm. Ata nuk e kanë atë. Pse gënjejnë”, pyeti politikani serb i sanksionuar nga SHBA-ja.

Ai shtoi se “problemi është qëllimi i tyre për të akuzuar serbët se janë një komb gjenocidal. Pas kësaj, qeveria e RS ngriti çështjen e shkëputjes paqësore. Pas kësaj nuk kemi pse të qëndrojmë bashkë”, tha Dodik.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi sot një rezolutë për Srebrenicën, duke shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995, e cila duhet të festohet çdo vit. Rezoluta u miratua me 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenime.

Kujtojmë se 8372 persona janë vrarë vetëm gjatë disa ditëve të korrikut të vitit 1995 në Srebrenicë. Numri i viktimave në Bosnje ka qenë shumë më i madh – mbi 100 mijë të vrarë.

Ndryshe, krimi u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë në vitin 2007.