SHBA

“Partneri është ortak, e jo aleat”: Pse mesazhet amerikane për reciprokim të (mos)partneritet ndaj qeverisë janë serioze?

Fjalori i Oksfordit e regjistron përdorimin e fjalës “Partner” qysh prej dikur në fund të shekullit të 14’të si “dikush që ndan pushtet ose autoritet me dikënd”.

Kjo përmbajtje dhe domethënie origjinale e fjalës “partner” i ka mbijetuar shekujve, duke mbetur boshti i kuptimit të saj.

E saktësisht “partneritetin”, sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është duke e thyer Qeveria e Kosovës.

Zëvendës Ndihmës Sekreati amerikan i Shtetit, Jim O’Brien, lëshoi deklarimet më të rënda drejtuar një qeverie kosovare, se po qe se këta të fundit duan të mos e konsiderojnë ShBA-në partnere, e njëjta gjë do të reciprokohet: Mospartneriteti i ndërsjellë.

Këtë deklaratë dhe peshën e saj – për shkak të deformimeve që i bëri pushteti me interpretime stërzbutëse – u desh të del ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ta rivendos në kuptimin real dhe t’ia mbajë formën e cila po provohej të shtrembërohej.

E njëjta frazë – se qeveria kosovare s’po e sheh e trajton ShBA-në si partnere – u dha edhe nga zëvendësi/ndihmësi i O’Brien, Gabriel Escobar: “Deklaratat tona publike kanë treguar qartë se ku po shkojnë raportet tona diplomatike dhe politike”, tha ai dje në Zërin e Amerikës.

“Ne jemi shumë të shqetësuar sepse Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner”, tha Escobar duke i qëndruar linjës së O’Brien se – në rastin e vazhdimësisë së tillë – e njëjta do të gjejë gjysmën tjetër (a)simetrike të mospartneritetit të ndërsjellë.

Për çështjen e semantikës së partneritetit ka folur në hollësi edhe gazetari Dukagjin Gorani i cili e hetoi qysh në start përdredhjen që po i bëhej fjalës “partneritet” duke e dhënë përmes një fjale “përzbutëse” siç është “aleanca”.

“Interpretimi që iu bë deklaratës së O’Brien ishte qesharak, në aspektin brengosës…fraza partneritet, filloi m’u përmend si aleancë: ‘A po rrezikohet aleanca me ShBA-në?’. Ka dallim mes partneriteti dhe aleancës. Është mirë me ua përkujtu edhe publikut, që në anglisht partneritet do të thotë ortakllëk. Ne jemi ortakë. Partner është ortak”, ka thënë Gorani në “Pressing” të T7,

“Dhe, me ndëgju ortakun, nuk është punë vullneti dhe zgjedhjeje, por obligim. Pra, mosdëgjimi i partnerit, ortakut është thyerje e marrëveshjes dhe shkelje e besimit. Nuk është ajo çështje e zgjedhjes. Në aleanca ndoshta edhe mundesh m’e pas pak hapësirë në çështje të caktuar me zhvillu ndonjë negociatë, ndërsa në partneritet mosdëgjimi është thyerje e kontratës”, ka shtuar ai.

“Tash e shihesha interpretimit që po ia japim deklarimeve të tilla, është interpretim eufemizëm, përzbutës, qikjo përzbutje është përpjekje ose veprim që ndryshe s’mundesh me interpretu përveç si gaslighting në nivelin masiv qeveritar dhe popullor”, ka thënë Dukagjin Gorani.

“Konfuzioni” që u provua të mbillej

Ishte ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ai që “i frustruar” dhe “i shqetësuar” tha se po dëgjon deklarime se kinse “nuk janë prekur marrëdhëniet Kosovë-ShBA” edhe pas deklarimeve të Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit Jim O’Brien.

“Jam i shqetësuar që ka deklarata pas kësaj interviste të O’Brien, që sugjerojnë që marrëdhënia mes Kosovës dhe ShBA-së nuk është prekur dhe se nuk do të preket nga kjo situatë. Më duhet të jem i qartë që kjo thjeshtë nuk është e vërtetë. Nuk është kështu gjendja”, tha ambasadori Hovenier.

Kjo në dritën e deklarimit të O’Brien se po qe se vazhdon kursi i mostrajtimit dhe moskonsiderimit të ShBA-së si partner nga ana e Qeverisë së Kosovës, e njëjta do të reciprokohet: mospartneritet i ndërsjellë ShBA-Kosovë.

Deklarimet e O’Brien-it dhe pastaj Hovenier-it i drejtoheshin Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili – krejtësisht në moskorrespondencë me realitetin – thoshte “nuk po rrezikohen marrëdhëniet me ShBA-në”.

Ndërkaq hiç më larg se para disa ditësh duke folur për motin e mirë në një fshatë të Gjilanit, gazetari i Nacionales, Vullnet Krasniqi, e pyeti se “a është moti i mirë edhe në raporter me ShBA-në?” sepse “ju qiti në rrenë Hovenier-i”.

Kurti – sërish – u shpreh se kështu nuk është çështja: e kundërta, tha ai, është e vërtetë.

“Mendoj se është ditë e mirë, në çdo aspekt”, tha Kurti, duke nënkuptuar edhe ditë e mirë për nga moti, edhe për nga moti i mirë në raportet me ShBA-në.

“Unë them që raportet tona janë shumë të mira, dhe unë i qëndroj kësaj fjale”, tha Kurti në përgjigjen e tij për “përgënjeshtrimin” e Hovenier-it rreth plasaritjes serioze në marrëdhëniet Kosovë-ShBA.

“Pra nuk ka shpërputhje midis motit sot dhe raporteteve me ShBA-në”, tha Kurti si përgjigje ndaj pyetjes së gazetarit të Nacionales.

“Mendoj se është ditë e mirë, në çdo aspekt. Unë kam dhënë opionionin tim, këndvështrimin tim, qëndrimin tim. Unë nuk e kam thënë qëndrimin të asnjë shteti tjetër. Si Kryeministër kam folur që raportet tona, bashkëpunimi jonë me ShBA-në është shumë i mirë. Tash, ne jemi partnerë, aleatë edhe miq, por kjo nuk do të thotë që pajtohemi absolutisht çdo herë, në çdo vend për gjithçka”, tha Albin Kurti.

“Mirëpo në këtë aspekt kemi një rregullore të re të BKQ-së të cilën QVRSK sipas Kushtetutës dhe ligjeve ka për detyrë ta mbështesë. Andaj, edhe unë them që raportet tona janë shumë të mira, dhe unë i qëndroj kësaj fjale. Pra nuk ka shpërputhje midis motit sot dhe raporteve me ShBA-në”, shtoi ai.

VIDEO BONUS: LDK e AAK thirrje Qeverisë: Çështjet e brendshme të Kosovës s’duhet të diskutohen me Serbinë