Shkarkimi i Christian Panuccit nga pankina e Shqipërisë ka ardhur menjëherë pas humbjes ndaj Turqisë dhe pasi presidenti Armand Duka i kishte rinovuar besimin pas dështimit në Ligën e Kombeve.

“Nuk dorëhiqem!”, tha italiani pas ndeshjes së humbur 0-2 në “Loro Boriçi”, duke u kapur fort sidomos pas aspektit ekonomik.

Por, sa ka fituar deri tani Christian Panucci? Thuajse gjysmë milioni euro. Kjo është kontrata e tij.

Rroga e italianit është 20 mijë euro në muaj dhe drejtimin e kombëtares e mori në korrik të vitit 2017. Praktikisht, 20 muaj në drejtim të kuqezinjve dhe 400 mijë euro të plota. Po tani si do të veprohet? Praktikisht, Panucci do të vazhdojë të paguhet nga FSHF-ja, pasi nuk është dakord për një zgjidhje alternative. Kjo edhe për faktin se nuk është se alternativat për të marrë drejtimin e ndonjë skuadre tjetër janë të shumta.

Dështimi me Shqipërinë, në fakt, i ka bërë publicitetin më të keq të mundshëm, duke humbur 60% të ndeshjeve dhe duke mos i dhënë një lojë skuadrës.

Por, deri kur e ka kontratën Panucci? Sipas firmës së hedhur, deri në fund të nëntorit, pra kur eliminatoret e Euro 2020 të mbyllen. Kjo do të thotë se, në total, Panucci do të fusë në xhep, veç 400 mijë eurove, edhe 160 mijë të tjera, që përbëjnë gjysmë milioni euro.