Pamje: Zhegrova shkëlqen me një gol dhe dy asiste në fitoren e Baselit kundër Sionit, vlerësohet me notën 10

Edon Zhegrova është duke e përjetuar një fillim të ëndërruar të sezonit të ri 2021/22 në Superligën e Zvicrës, pasi në dy ndeshjet e para është përfshirë në katër gola për Baselin.

Përfaqësuesi i Kosovës Zhegrova e shënoi golin e parë të sezonit në ligën elitare zvicerane dhe i dhuroi edhe dy asiste për t’i ndihmuar Baselit ta dërrmojë 6:1 Sionin në St. Jakob-Park të dielën.  

Kjo ishte ndeshja e tij e parë si titullar këtë sezon, pasi në ndeshjen e kaluar ishte futur nga stoli në lojë për të asistuar në fitoren e Baselit 2:0 kundër Grasshoppers në ndeshjen debutues në sezonin e ri në ligë.

Aq madhështore ishte paraqitje e tij – një gol, dy asiste dhe tetë pasime kyçe – saqë kompania e të dhënave të sportit, SofaScore, e vlerësoi me notën maksimale, 10.

Kjo nënkupton se ai është futbollisti i parë kosovar që vlerësohet me notën 10 nga SofaScore.com.

Pajtim Kasami e hapi serinë e golave për Baselin pas vetëm katër minutave lojë, para se Zhegrova të asistonte për Segio Lopezin, i cili e dyfishoi epërsinë e vendasve 10 minuta më vonë.

Eray Comert shënoi për 3:0 për Baselin në minutën e 21-të. Sebastiano Esposito e çoi në katër gola epërsinë e vendasve në minutën e 42-të, kur u shërbye nga Arthur.

Zhegrova e regjistroi edhe një asist tjetër në pjesën e parë, kur e shërbeu Arthurin në minutën e 44-të, i cili shënoi për 5:0.

Pas dy asisteve në këtë takim, tri në përgjithësi në dy ndeshjet e para këtë sezon, Zhegrova më në fund e gjeti rrugën e golit të shumëkërkuar.

Kosovari e pranoi një pasim nga Arthur dhe u fut në zonën e Sinoit duke dribluar në stilin e të madhit Lionel Messi, para se ta mposhte portierin në minutën e 55-të.

Zhegrova do të shpresojë se ky do të jetë një sezon depërtues për të, për t’i ndihmuar ta bëjë hapin e radhës më të madh në karrierë, pas disa sezoneve të kaluara të vështira.

Ai nuk është ftuar as nga Kosova në disa ndeshjet e fundit por nëse e vazhdon të bëjë paraqitje kaq të shkëlqyer edhe në javët në vazhdim, trajneri i dardanëve Bernard Challandes do ta ketë të vështirë ta mënjanojë 22-vjeçarin.

Kosova do t’i zhvillojë tri ndeshje vendimtare kualifikues për Kupën e Botës 2022 në shtator dhe shërbimet e prishtinasit mund të jenë të nevojshme, veçanërisht duke ditur se Arbër Zeneli e ka lënduar gjurin rëndë dhe do të mungojë rreth gjashtë muaj.

Verdhekaltrit e vizitojnë Gjeorgjinë më 2 shtator, para se ta presin Greqinë dhe Spanjën në Prishtinë në tri takimet e saj vendimtare në Grupin B.

Kosova është ende pa fitore dhe pa pikë, pasi i humbi dy ndeshjet e para ndaj Suedisë dhe Spanjës. Grupit i prijnë Spanja me 7 pikë dhe Suedia me 6. Greqia i ka 3 dhe Gjeorgjia 1.