Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të zvogëlohen| Këto janë komentet e KGJK-së për Projektligjin e Pagave

Gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës në qeverisjen e Albin Kurtit parashihet të kenë paga më të ulëta.

Kështu ka paraparë Qeveria e Kosovës në Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik, i cili nga data 15 shtator është në diskutim publik.

Demokracia.com ka siguruar komentet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës lidhur me këtë projektligj.

KGJK vlerëson se disa nene të këtij projektligji bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Kjo situatë na kthen në kujtesë rastin kur më 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik të hartuar nga Qeveria e Ramush Haradinajt. Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

“Shkeljet kushtetuese të evidentuara në Ligjin e kontestuar janë të një peshe aq serioze, sa që të njëjtat ndikojnë në bërthamën e funksionimit të qeverisjes në Republikën e Kosovës – duke shkaktuar çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe Institucioneve të Pavarura”, thuhej ndër të tjera në vendimin e Gjykatës.

Por, duket se edhe Qeveria Kurti po i bënë gabimet e njëjta, sikur ajo e Haradinajt, shkruan Demokracia.com.

KGjK ka ofruar sqarime të detajuara lidhur me organizimin, funksionimin dhe pavarësinë që gëzon si institucion, si dhe ka treguar për praktikat ndërkombëtare.

Sipas KGJK-së, në tabelë janë reflektuar vetëm komentet konkrete për ndryshime. Sipas këtij institucioni, në projektligj përcaktohet se: “Qëllimi i këtij ligji është që të krijoj një sistem të njëtrajtshëm të pagave në sektorin publik, që përfshin parimet dhe rregullat për përcaktim të pagës në sektorin publik, si dhe të krijojë një sistem të pagave dhe shpërblimeve transparent, atraktiv, të menaxhueshëm dhe të aftë për të pasqyruar dhe shpërblyer performancën në sektorin publik, ku elementi kryesor është paga bazë”.

KGJK ka konsideruar se kjo dispozitë është vetëm një përshkrim gjeneral.

“Konsiderojmë se kjo dispozitë është vetëm një përshkrim gjeneral, sa i përket pagave në sistemin gjyqësor, sepse ka përcaktuar se sistemi gjyqësor, sepse ka përcaktuar se sistemi i pagave do të jetë “atraktiv”, ndërsa dispozitat e tjera të projektligjit parashohin uljen e pagës së gjyqtarit. Parashtrohet pyetja se si është e mundur që paga të jetë atraktive kur ajo parashihet të ulet. Pra vet qëllim i ligjit nuk është në koherencë me dispozitat e tjera. Pas analizimit të hollësishëm të Projektligjit për Pagat në Sektorin publik vërehet se në përmbajtjen narrative të Projektligjit mungon ndonjë dispozitë konkrete ligjore lidhur me përshkrimin narrativ të Kapitullit për Pagat në Sistemin Gjyqësor, siç është përmendur për institucionet e tjera, por është përmendur vetëm në nenin 2 paragrafi 3 si dhe në nenin 42 para 1 pika 1.2 si dhe në Shtojcën Nr. 2 Sistemi Gjyqësor dhe në kuadër të nenit 2, paragrafi 3 është përcaktuar me dispozitë ligjore se “Për nëpunësit në institucionet e pavarura kushtetuese, ky ligj zbatohet për aq sa nuk cenon pavarësinë e tyre funksionale dhe organizative të garantuar me Kushtetutë. Megjithatë në përmbajtje të këtij Projektligji kjo nuk është përfshirë me asnjë dispozitë të vetme ligjore, se si përcaktohet mënyra e ruajtjes nga cenimi i pavarësisë funksionale dhe organizative të institucioneve të pavarura kushtetuese përfshirë KGJK-në, në raport me dispozitat kushtetuese”, thuhet në komentet e KGJK-së që i ka siguruar Demokracia.com.

Po ashtu, KGJK vlerëson se vlera monetare e koeficientit e përcaktuar sipas këtij ligji, mund të ulet vetëm me ligj dhe atë për situatat si në vijim: një tronditje makroekonomike, e cila rezulton në zvogëlimin e të ardhurave ose në rast të një fatkeqësie natyrore, sipas kuptimit të nenit 131 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Në rastin konkret me projektligjin aktual është paraparë zbritja e pagës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, kjo dispozitë ligjore bie ndesh me nenin 39 ku është paraparë që do të ketë ulje të pagës dhe atë siç është përcaktuar në paragrafin 2, pika 2.1, 2.2, 2.3 dhe 2.4 e Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik. Rrjedhimisht, me dispozitat e këtij projektligji nuk është paraparë asnjë përjashtim për pagat aktuale të cilat janë brenda sistemit të drejtësisë, ashtu siç parashihet edhe me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Prishtinë, më 9 korrik 2020 Nr. Ref: AGJ 1584/20, në rastin nr. KO219/19 parashtruar nga Avokati i Popullit, lidhur me vlerësimin e Kushtetutshmërisë së Ligjit Nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik”, ka vlerësuar KGJK.

Sipas KGJK-së, në kuadër të Nenit 39 të Projektligjit është përcaktuar se: Nëse një zyrtar publik apo funksionar publik, para hyrjes në fuqi të këtij ligji, përfitonte një pagë bazë që është më e madhe se paga e plotë e parashikuar me këtë ligj, ai do të përfitojë pagën e re sipas dispozitave të këtij ligji dhe shtesën tranzitore të barabartë me diferencën ndërmjet pagës aktuale dhe pagës së re; Personat, zyrtari publik apo funksionari publik, në pajtim me paragrafin 1 të këtij neni, do të përfitojë pagën e re në: 2.1. 100% të shtesës transitore të posaçme, sipas paragrafit 1, gjatë vitit të parë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji; 75 % të shtesës transitore të posaçme, sipas paragrafit 1, gjatë vitit të dytë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji; 50 % të shtesës transitore të posaçme, sipas paragrafit 1, gjatë vitit të tretë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji; 25 % të shtesës transitore të posaçme, sipas paragrafit 1, gjatë vitit të katërt pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

“Vlerësojmë se kjo dispozitë e bën të qartë faktin se pagat e gjyqtarëve do të ulen dhe atë pas vitit të parë të hyrjes në fuqi të ligjit. Pra me vet faktin se nga viti i dytë pas hyrjes në fuqi të ligjit, gjyqtarët do të marrin 75% të diferencës ndërmjet pagës aktuale dhe pagës sipas Projektligjit të ri për pagat. Kjo është në tërësi në kundërshtim edhe me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Prishtinë, më 9 korrik 2020 Nr. Ref: AGJ 1584/20, në rastin nr. KO219/19 parashtruar nga Avokati i Popullit, lidhur me vlerësimin e Kushtetutshmërisë së Ligjit Nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, si dhe me një mori instrumentesh ndërkombëtare të theksuara më lartë të cilat garantojnë qëndrueshmëri financiare si dhe mosulje të pagës së gjyqtarëve, të mbrojtur me parimin e parashikueshmërisë”, ka vlerësuar KGJK, raporton Demokracia.com.

Këshilli Gjyqësor vlerëson se dispozita shfuqizuese e nenit 43, përkatësisht par. 1, pika 1.5 dhe 1.6 e projektligjit bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përkatësisht pikën 319 të Aktgjykimit për Pagat, si dhe me të gjitha instrumentet ndërkombëtare që garantojnë pacenueshmërinë e pagës si një prej tri shtyllave kryesore (përzgjedhja e pavarur e gjyqtarëve nga KGJK, mandati i përhershëm dhe pacenueshmëria përmes pagës) përmes të cilave ruhet pavarësia funksionale e sistemit gjyqësor në raport me institucionet e tjera.

“Siç është potencuar edhe me lartë Projektligji aktual nuk përmban asnjë dispozitë ligjore sa i përket pagave të sistemit gjyqësor, mirëpo në kuadër të Shtojcës 2 Sistemi gjyqësor, janë paraparë koeficientet nga kryetari i Gjykatës Supreme e deri tek bashkëpunëtorët profesional. Vlerësojmë se përcaktimi i koeficienteve në këtë mënyrë bie ndesh me parimin e ndarjes së pushteteve, ashtu siç është përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sepse përcaktimi i koeficienteve për të punësuarit brenda sistemit gjyqësor nga ana e Qeverisë pa dakordim paraprak me KGJK-në përbën propozim arbitrar të Qeverise në raport me pushtetin gjyqësor. KGJK vlerëson se krahasimi i pagës se një gjyqtari me pagën e një këshilltari në kuadër të degës së ekzekutivit, Kuvendit të Kosovës është në kundërshtim të plotë me përgjegjësitë të cilat i ushtron një gjyqtar brenda sistemit në raport me një këshilltar në kuadër të institucioneve tjera, i cili nuk ka mandat ekzekutiv”.

KGJK dhe KPK kanë propozuar që gjatë hartimit të projektligjit përkatës të merren për bazë në tërësi përfundimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të paraqitur në aktgjykimin Nr. ref: AGJ 1584/20 të datës 9 Korrik 2020, me theks të veçantë në pikën V – Përfundimet.

KGJK ka vërejtje edhe për pagat e administratës së gjyqësorit.

“Kategorizim i pagave mes tri pushteteve ka reflektuar edhe në Shtojcat e Projektligjit për pagat në Sistemin Gjyqësor sa i përket administratës, ku shihet një dallim në mes të kategorisë së Prokurorive dhe gjykatave me atë të stafit të Kuvendit, institucioneve tjera të pavarura si dhe në raport me Gjykatën Kushtetuese, ndarje kjo në kundërshtim me nenin 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Është kërkesë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës që në draftligjin për paga të përfshihet një kapitull i veçantë lidhur me çështjen e pagave, kompensimit dhe shtesave të zyrtarëve të administratës gjyqësore si është e rregulluar kjo çështje për kategoritë tjera në këtë ligj. Administrata e gjyqësorit medoemos duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë dhe të vendoset pesha e duhur në nivelin e pagave krahasuar me organet tjera të pavarura, kjo për shkak të specifikave të detyrave dhe e përgjegjësive të punës që dallon nga zyrtarët e institucionet tjera. Për më tepër, është me rëndësi që të përmendet se në kuadër të administratës së sistemit gjyqësor janë të caktuar disa nga pozitat që janë ekskluzive vetëm për gjykata e që përshkimi i detyrave të tyre të punës është mjaft kompleks dhe t’i kushtohet vëmendje serioze këtyre pozitave, ashtu siç është parapa edhe nga Ministria e Drejtësisë, në kuadër të programit legjislativ për vitin 2022, nxjerrja e projektligjit për administratën gjyqësore, i cili projektligj do të rregullojë në tërësi parimet, organizimin, funksionimin, rekrutimin, pagat dhe disiplinimi i të punësuarve në administratën e sistemit gjyqësor dhe të krijojë mundësinë e vetë rregullimit përmes akteve nënligjore të nxjerrë nga KGJK për zbatimin e këtij projektligji.”, është një koment tjetër i KGJK-së. /Demokracia.com/