Gjykata Supreme kishte gjetur shkelje në aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit në rastin e të akuzuarit Destan Shabanaj, i cili ishte dënuar me 7 vjet burgim efektiv më 23 mars 2021, nën akuzat se kishte kryer krime lufte në Nerodime të Epërme gjatë vitit 1999.

Bashkë me të akuzuarin Shabanaj, ishte akuzuar edhe Zlatan Kërstiq, mirëpo ndaj këtij të fundit Supremja e kishte vërtetuar dënimin me burgim prej 14 vjet e 6 muaj që i ishte shqiptuar nga shkalla e parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky vendim i shkallës së parë ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit më 8 nëntor 2021.

Shabanaj, akuzohej se më 1 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policor, i armatosur me armë automatike, me qëllim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pajetë, viktimave O.N., B.N., A.N. dhe I.R., kishte urdhëruar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.

Mirëpo, meqenëse Supremja e kishte liruar nga akuza, Shabanaj i ishte drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, duke pretenduar se shkalla e parë dhe e dytë me aktgjykimet e nxjerra ku ai ishte dënuar, ishin nxjerrë në shkele të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Megjithatë, një kërkesë e tillë më 17 janar 2024 ishte shpallur e papranueshme nga Gjykata Kushtetuese, me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës ishte ankuar në Kushtetuese pas afatit ligjor.

“Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë me 22 nëntor 2022 më shumë se 4 (katër) muaj pas pranimit të aktit të kontestuar. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses.

Pse sipas Supremes Destan Shabanaj u lirua nga akuzat për krime lufte?
Gjykata Supreme me vendimin e nxjerrë më 23 qershor 2022, kishte vendosur për lirimin e Shabanajt nga akuza, duke bërë që aktgjykimet dënuese të Gjykatës Themelore dhe të Apelit të ndryshoheshin.

Shabanaj ishte gjetur fajtor nga shkalla e parë sepse ishin vërtetuar akuzat se në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore serbe, kishte shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare kundër personave civilë, respektivisht nenin 130 të Konventës së Katërt ((IV) të Gjenevës të datës 12 gusht 1949, ndërlidhur me nenin 34 të protokollit si shtesë dhe nenin 3 (c) i përbashkët për katër konventat e Gjenevës të datës 12 gusht 1949 dhe nenit 4 (e), 8 dhe 13 të Protokollit II të datës 8 qershor 1977, shtojcë e konventave të Gjenevës së vitit 1949.

Ai ishte shpallur fajtor sepse më 1 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policor, i armatosur me armë automatike, me qëllim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pajetë të viktimave O.N., B.B., A.N. dhe I.R., duke zbatuar urdhrat ka kontribuar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.

Po ashtu, sipas urdhrit të gjyqtares hetuese L.M, i njëjti në të njëjtën ditë me pjesëtarët tjerë policorë, trupat e pajetë të viktimave të cekura si më lartë përmes personave H.K., Il.A. dhe një personi tjetër i quajtur “R.”, me kamion i kanë tërhequr nga Morgu i Prishtinës ende pa u bërë autopsia dhe i kanë dërguar në afërsi të varrezave të qytetit të Ferizajt, të quajtura “varreza myslimane”, ku aty ishte duke i pritur i pandehuri Shabanaj i cili menjëherë posa kanë arritur trupat e pajetë, duke zbatuar urdhrin ka urdhëruar personin e quajtur “M.”, që me ekskavator të fillojë hapjen e një grope me qëllim të hedhjes së këtyre kufomave.

Pas hapjes së gropës me përmasa përafërsisht 2 deri 3 metra e gjerë dhe 70 deri 80 cm. të thellë, i pandehuri thuhet se ka urdhëruar që trupat e të vrarëve fillimisht t’i zbresin nga kamioni, e pastaj pa u respektuar traditat dhe ritet fetare janë hedhur në mënyrë të parregullt, të gjithë në të njëjtën gropë masive.

Shabanaj ishte gjetur fajtor se në kundërshtim me traditat dhe rregullat fetare të të vrarëve, kishte urdhëruar që përmes ekskavatorit trupat e pajetë të hedhur në gropë masive, të mbulohen me dhe, duke mos mbajtur asnjë shënim për identitetin e të varrosurve dhe duke mos lënë asnjë shenjë identifikuese se aty ka varrezë.

Me çka, sipas Themelores ishte shpallur fajtor dhe vendimi ishte vërtetuar dhe nga Apelit se Shabanaj kishte kryer veprat penale “Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 LP të RSFJ-së në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës”.

Sipas vendimit të Supremes, të gjitha faktet ishin vlerësuar drejt nga gjykata e shkallës së parë. Mirëpo, edhe pse ishte vërtetuar që ish-i akuzuari Shabanaj i kishte kryer të gjitha veprimet e lartcekura, të njëjtat veprime nuk ishin inkriminuar si veprime kriminale në Kodin Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

“Gjykata gjen se veprimet inkriminuese parashihen me ligj i cili në kohën e kryerjes së veprës penale ishte në fuqi, në mënyrë alternative, ashtu që vepra penale mund të kryhet me cilin do veprim të përshkruar. Megjithatë, kjo gjykatë vlerëson se veprimet e të dënuarit, edhe pse vërtetohet se i njëjti i ka kryer, nuk janë të përfshira si veprime inkriminuese me dispozitën e nenit 142 të LP të RSFJ. Pra, edhe pse njëri prej kushteve që kjo vepër penale të kryhet (shkelja e rregullave të drejtës ndërkombëtare, gjatë kohës së konfliktit të armatosur) përmbushet, megjithatë veprimet e të dënuarit nuk janë përfshirë me dispozitën me të cilën sanksionohet kjo vepër penale. Andaj, kjo gjykatë ka ardhur në përfundim se në veprimet e të dënuarit nuk përmbushen elementet qenësore të figurës së veprës penale për të cilën është shpallur fajtor”, thuhet në vendimin e kësaj gjykate.

Sipas vendimit të Supremes, edhe pse gjendja faktike ishte vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë, gabimisht është aplikuar Ligji Penal, gjegjësisht sipas saj janë nxjerrë konkludime të gabuara.

Për këto arsye, Supremja e kishte pranuar si të drejtë pretendimin e mbrojtjes andaj kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë ishte aprovuar dhe ishte vendosur që i dënuari të lirohet nga akuza.

Ndryshe, dispozita për veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile nga neni 142 të LP të RSFJ, parasheh se: “kush duke shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, konfliktit të armatosur ose okupacionit, urdhëron që kundër popullsisë civile të bëhen vrasje, tortura, sjellje çnjerëzore, eksperimente biologjike, shkaktimin e vuajtjeve të mëdha ose cenimin e integritetit trupor apo shëndetit ose transferime apo shpërngulje ose transferime apo ç’kombtarizime me dhunë ose kthimin në ndonjë fe tjetër, shtrëngime për t’u marrë me prostitucion ose kryen dhunime seksuale, aplikimin e masave të frikësimit dhe të terrorit, marrjen e njerëzve peng, ndëshkime kolektive, dërgimin e kundërligjshëm në kampet e përqendrimit dhe kryen mbyllje të tjera të kundërligjshme, privimin e të drejtës në gjykimin e drejtë dhe të paanshëm; shtrëngime për të shërbyer në forcat e armatosura të fuqisë armike ose në shërbimin e saj informativ ose në administratën e saj, shtrëngime për të bërë punë të detyrueshme, lënien e popullsisë në uri; konfiskime të pasurisë, grabitje të pasurisë së popullsisë, asgjësimin e kundërligjshëm dhe arbitrar apo përvetësime në përpjesëtime të mëdha të pasurisë që nuk arsyetohet me nevoja ushtarak, merr kontribute dhe kryen rekuizime të paligjshme e në përpjesëtime të mëdha, kryen uljen e vlerës së parave të vendit ose emetimin e kundërligjshëm të parave, ose kush kryen ndonjë nga veprat e lartpërmendura do të dënohet të paktën me 5 vjet burg ose me dënim me vdekje”.

Po me këtë vepër penale, pra sipas nenit 142 të LP të RSJF-së ishte ngritur edhe aktakuza e Prokurorisë Speciale më 30 dhjetor 2019 ndaj Shabanajt.

Ndërsa, Gjykata Supreme ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe të dytë sa i përket të akuzuarit Kërstiq, duke refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë.

“Gjykata Supreme duke i marrë parasysh edhe dispozitat e cekura më lart dhe në gjendjen drejtë të vërtetuar faktike, gjen se drejt është zbatuar ligji penal kur i dënuari është shpallur fajtor, e duke marrë parasysh edhe se në veprimet e të dënuarit Z.K., përfshihen të gjitha elementet qenësore të veprës penale për të cilën është shpallur fajtor meqenëse i njëjti në bashkëveprim me forcat tjera policore dhe ushtarake ka ndërmarrë veprimet e cekura më lartë e të cilat veprime kanë shkelur rëndë rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare kundër personave civil dhe pasurisë, e që e bënë të pa bazë pretendimin e mbrojtësit të të dënuarit dhe të dënuarit se është shkelur ligji penal në dëm të të njëjtit”, thuhet në vendimin e Supremes.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 dhjetor 2019, i akuzuari Zlatan Kërstiq më 26 mars 1999, rreth orës 22:00, në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizaj, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serbë, i veshur me uniformë të policisë dhe i armatosur, me vetëdije e qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, ka marrë pjesë direkt në sulmin e popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes N., që nuk kanë marrë pjesë aktive në konflikt të armatosur.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, i njëjti gjatë këtij aksioni në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, fillimisht me mjete motorike ushtarake dhe policore, ka hyrë në oborrin e shtëpisë së O.N., e pastaj nën krisma të armëve dhe britmave në gjuhën serbe, rrëmbyeshëm dhe me forcë kanë hyrë brenda në shtëpi, ku ishin të strehuar 19 anëtarët e kësaj familje, në mesin e tyre fëmijë, gra e burra.

Pastaj, thuhet se i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë, të cilët u përkisnin forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, ka marrë pjesë në cenimin e rëndë të personalitetit dhe dinjitetit të pjesëtarëve të kësaj familje, ngase me forcë nën kërcënimin e armëve, duke ndjellë frikë për jetën e tyre, i kanë nxjerrë dhunshëm nga shtëpia dhe duke i trajtuar në mënyrë johumane, i kanë rreshtuar në oborr para shtëpisë duke i mbajtur nën frikë dhe presion për një kohë të gjatë.

Tutje, thuhet se në vazhdim derisa personat civilë të familjes N., ishin të rreshtuar në oborr, në prezencën e tyre, i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë, ka marrë pjesë në shkatërrimin e paligjshëm dhe qëllimshëm të pasurisë së kësaj familje, djegien e shtëpive, kafshëve, ushqimin e kafshëve dhe gjithë pasurinë që gjendej në oborr, pasuri kjo që nuk justifikohej me nevoja ushtarake.

Pastaj, sipas akuzës, i pandehuri në të njëjtën kohë ka marrë pjesë edhe në dëbimin e 15 anëtarëve të kësaj familje, të cilët paraprakisht ishin të rreshtuar në oborr, ku në bashkëveprim edhe me kryerës tjetër, nën kërcënimin e armëve i kanë urdhëruar të shpërngulen nga vendbanimi i tyre duke i dëbuar me forcë në drejtim të panjohur.

Sipas aktakuzës, i pandehuri ka marrë pjesë në marrjen peng të katër personave të kësaj familje, i cili duke vepruar në bashkëveprim me kryerës tjerë, fillimisht i ka ndarë nga pjesëtarë tjerë të familjes, personat O.N., B. N., A.N. dhe B.N., tani të ndjerë. Pas marrjes të tyre, thuhet se thelbësisht ka kontribuar në trajtimin mizor të tyre, duke i maltretuar, torturuar, gjymtuar dhe përfundimisht vrarë me armë zjarri, kufomat e të cilëve me qëllim të fshehjes së krimit i kanë hedhur për skaj rrugës magjistrale Prishtinë – Ferizaj, konkretisht në fshatin Babush.

Për këtë, akuzohej se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së, të paraparë edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës” nga neni 146, paragrafi 1 dhe 2 , nënpargrafi 2.1, 2.2 dhe 2.3 të KPRK-së, ndërlidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Kurse, i pandehuri Destan Shabanaj, sipas aktakuzës, më 1 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policor, i armatosur me armë automatike, me qëllim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pajetë, viktimave O.N., B.N., A.N. dhe I. R., ka urdhëruar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.

Sipas akuzës, në një njëjtën ditë, sipas urdhrit të të pandehurit dhe pjesëtarëve tjerë policorë, trupat e pajetë të viktimave të cekura si më larë, përmes personave H.K., I.A. dhe një personi tjetër i quajtur “Rada”, me kamionin e tipit “FAP”, janë tërhequr nga Morgu i Prishtinës, ende pa u bërë autopsia dhe janë dërguar në afërsi të varrezave të qytetit të Ferizajt të quajtura “varrezat myslimane”, ku aty ishte duke i pritur i akuzuari Shabanaj, i cili menjëherë posa kanë arritur trupat e pajetë, ka urdhëruar personin e quajtur “Maksut”, që me ekskavator të fillojë hapjen e një grope me qëllim të hedhjes së këtyre.

Ndërkaq, më pas, akuza thotë se pas hapjes së gropës me përmasa përafërsisht 2 deri në 3 metra e gjerë dhe 70 deri në 80 cm të thellë, i pandehuri Shabanaj, ka urdhëruar që trupat e të vrarëve fillimisht t’i zbresin nga kamioni, e pastaj pa u respektuar traditat dhe ritet fetare janë hedhur në mënyrë të parregullt të gjithë në të njëjtën gropë masive.

Sipas akuzës, në përfundim, i pandehuri në kundërshtim me traditat dhe rregullat fetare të të vrarëve ka urdhëruar që përmes ekskavatorit trupat e pajetë të hedhur në gropë masive të mbulohen me dhe, duke mos mbajtur asnjë shënim për identitetin e të varrosurve dhe duke mos lënë asnjë shenjë identifikuese se aty ka varrezë.

Më këtë, akuzohej se ka kryer veprat penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 LP të RSFJ-së, aktualisht e dënueshme edhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës nga neni 146, paragrafi 2.2 “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës”. /BetimipërDrejtësi