Presidentja

Osmani uron Berset për zgjedhjen Sekretar i Përgjithshëm i KiE: Kosova s’do të ndalet në synimin për anëtarësim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Sekretarin e ri të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Alain Berset, i cili ka qenë president i Zvicrës.

Osmani tha se Kosova s’do të heqë dorë drejt synimit për t’u bërë anëtare e organizatës dhe për këtë tha se do të punojë bashkë me të për ta bërë realitet.

“Urime për Alain Berset që u zgjodh Sekretari i ri i Përgjithshëm i Këshillit të Europës. Kosova është fuqishëm e përkushtuar për anëtarësimin në CoE – një anëtarësim që jo vetëm do të ishte një fitore për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe një fitore për kontinentin tonë dhe vlerat mbi të cilat ai qëndron fuqishëm. Kosova, anëtarja e 47-të e KiE, është një synim që do të vazhdojmë ta ndjekim pa u ndalur. Mezi pres të punojmë së bashku për ta bërë realitet!”, ka shkruar Osmani në X.

Këshilli i Europës zgjodhi Berset në këtë post të martën në mbrëmje.

Parlamenti 306 anëtarësh i organizatës për të drejtat e njeriut me bazë në Strasburg mbajti një votim të fshehtë në dy raunde të martën. Berset fitoi raundin e dytë me 114 vota pro të martën pasdite. Ish-ministri i Kulturës i Estonisë, Indrek Saar, mori 85 vota në raundin e dytë dhe kandidati belg Didier Reynders doli i treti me 46 vota.