OSHP nën llupën e Auditorit: Evidentohen tri shkelje

Pagesa të pagave në kundërshtim me ligjin, pranim të furnizimeve me pajisje të IT-së pa komision të pranimit e mangësi në raportimin e obligimeve të papaguara.

Këto janë disa nga parregullsitë që ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit në Organin Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2021, raporton Front Online.

Sipas saj, OSHP kishte lidhur një kontratë pune me datën 15.06.2021, për pozitën zyrtare e lartë ligjore si zëvendësuese për një periudhë kohore një vjeçare.

Vlera e pagesave për vitin 2021 ishte 2,611€. Kjo kishte ndodhur si rezultat i pamundësisë për të përfshirë në listë të pagave zyrtaren në fjalë, pasi ishte zëvendësuese për një vit dhe për të njëjtën, OSHP ka dërguar shkresa në MAP/MPB, për ta paguar nga kategoria e pagave.

Në pamundësi të kësaj është detyruar që ta paguajë nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve.

Kjo bie ndesh me Ligjin Nr 07/L-041 për ndarjet buxhetore të buxhetit të Kosovës, neni 13, limitet në zotime dhe shpenzime, pika 6, përcakton që shpenzimi ngakategoria e mallrave dhe shërbimeve për pagesën e punonjësve nuk është i lejuar.

Auditori ka gjetur po ashtu se “Gjykata e Tenderëve” siç njihet ndryshe OSHP ka pranuar kompjuterë në vlerë afër 4 mijë euro pa u caktuar fare komisioni për pranimin e mallit.

Malli ishte pranuar vetëm nga zyrtari i pranimit.

Sipas nenit 8 pika 4, të Rregullores Nr. 02/2013 për menaxhimin e pasurive jo kapitale në organizatat buxhetore, Zyrtari Kryesor Administrativ me vendim formon Komisionin për Pranimin e Pasurisë jo Financiare që ka përgjegjësitë të bëjë verifikimin e sasisë, cilësisë, llojin dhe vlerën e pasurisë jo financiare të pranuar dhe të dokumentuar me procesverbal që janë në përputhje me kontratën apo urdhër-blerjen.

ZKA gjatë testimit të raportimit dhe mënyrës së pagesave për obligimet e papaguara ka vërejtur që faturat e protokolluara nuk ishin raportuar në raportet mujore në MFPT si në vijim:

• Dy fletëpagesa në vlerën 8,336€ të obligimeve për tatimin në burim dhe pagesën e kontributeve të muajit dhjetor 2020, nuk ishin raportuar si obligime të papaguara në MF për muajin janar, pasi deklarimi i tyre ishte bërë me vonesë, përkatësisht me 09.02.2021;
• Një fletëpagesë në vlerë 453€, pagesë e tatimit në burim për periudhën dhjetor 2020, nuk ishte deklaruar deri me datën 07.10.2021, me një vonesë në deklarim dhe pagesë 9 muaj.

Po ashtu, në 9 pagesa në vlerë 11,426€, kishte vonesa në pagesë nga 2 deri në 50 ditë, pas afatit të lejuar për pagesë prej 30 ditëve.

Kjo ka ndodhur si rezultat i alokimit të mjetet financiare me vonesë, mungesës së mjeteve financiare dhe vonesës së regjistrimi të furnitorëve në Thesar, për të cilat OSHP kishte korrespondeca të komunikimit.

Neni 6 i Rregullores financiare 02/2013 për Raportimin e obligimeve të papaguara të organizatave buxhetore, kërkon që raportet e obligimeve të papaguara të organizatave buxhetore duhet të dorëzohen në afatin prej 15 ditë pas përfundimit të muajit, për gjendjen e muajit paraprak.

Kurse neni 37.1 Rregullës Financiare 01/2013 MFPT, përcakton se të gjitha faturat që i pranon organizata buxhetore duhet të paguhen brenda 30 ditëve në qoftë se nuk është paraparë ndryshe me kontratë.