Shaqiri thotë se është i lumtur te Liverpooli në Premierligë, por në anën tjetër ka rritur spekulimet për një largim nga “Anfield” duke thënë “nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë në futboll”

Tjetër ndeshje për Liverpoolin, tjetër ndeshje në stol për Xherdan Shaqirin, shkruan Gazeta Express.

Jurgen Klopp është duke i dërguar sinjale shqiptarit se nuk do të jetë asnjëherë zgjedhja e parë dhe përveç kësaj, po e ka të vështirë të inkuadrohet në fushë edhe si zëvendësues.

Ai nuk luajti asnjë minutë në finale të UEFA Super Cup kundër Chelsea, ku Liverpooli fitoi 5-4 pas ekzekutimit të penalltive, pasi koha e rregullt dhe ajo shtesë përfundoi 2-2.

Pas ndeshjes, Shaqiri natyrisht u pyet për të ardhmen, e cila lidhet me Galatasarayn, vend ku edhe u luajt mbrëmë finalja, në Stamboll.

“Unë nuk kam marrë asnjë ofertë deri më tani nga Galatasaray. Turqia është një vend i bukur për të jetuar. Kanë një kampionat të këndshëm, por jam i lumtur në Premierligë. Sigurisht nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë në futboll. Jam tani pjesë e një skuadre mjaft të mirë”, deklaroi Shaqiri, për të cilin raportohet se interesohet edhe Monaco.

Më pas, shqiptari foli edhe për trofeun e dytë që ka fituar me Liverpoolin, teksa dha sinjale se dëshira e tij është të qëndrojë në “Anfield”.

“Liga e Kampionëve do të luhet në Stamboll vitin e ardhshëm. Shpresoj se do të vij sërish këtu dhe ne të fitojmë”.

Shaqiri e mbylli sezonin debutues me 30 ndeshje në të gjitha garat, 6 gola dhe 5 asistime. Këtë sezon, ai ka luajtur vetëm 11 minuta, në finale të Superkupës së Anglisë, ku Liverpooli humbi nga Manchester City.