Thomas Strakosha ishte një nga lojtarët më të mirë në fushën e lojës, në fitoren ndaj Interit mbrëmjen e djeshme.
Portieri i kombëtares shqiptare, bëri pritje shpëtimtare për Lazion në fushën e Interit, duke i ruajtur deri në fund avantazhin e 0-1 me gol të Milinkoviç-Saviç.
Kështu Lazio mori tre pikë të rëndësishme duke u afruar me Milanin e vendit të katërt, ndërkohë që kryeqytetasit kanë dhe një ndeshje më shumë në dispozicion.
Strakosha ishte padyshim njeriu i ndeshjes me pritjet e tij, të cilat shpëtuan disa herë Lazion nga ndëshkimi.

Për këtë arsye mediat italiane i kanë dhënë një notë të lartë portierit shqiptar. “Tuttomercatoweb”, e ka vlerësuar Strakoshën me notën 7, duke mos i kursyer fjalët pozitive për gardianin shtatlart.
Portieri i kombëtares është vlerësuar për kujdesin dhe pozicionimin e tij, duke mos e humbur në asnjë moment përqëndrimin.
Edhe media të tjera kanë dhënë vlerësime maksimale për futbollistin e kombëtares shqiptare, ndërsa sajti i njohur sportiv, “Sofascore” e ka përzgjedhur Thomas Strakoshën në formacionin e më të mirëve në Serie A të Italisë, duke i dhënë notën 8.6.







