Europa League

Nis faza çerekfinale e Conference League, duelet premtojnë shumë

UEFA Conference League do ngrejë siparin e fazës çerekfinale këtë të enjte, me duele tepër interesante dhe që premtojnë shumë.

Dy takimet e para të mbrëmjes do të startojnë në orën 18:45, me Olympiacos që do të presë në shtëpi Fenerbahce-n dhe në Çeki do të luhet Plzen-Fiorentina.

Moment jo shumë pozitiv në shtëpinë e Fenerbahce-s, por skuadra e Kartal gjeti suksesin në ndeshjen e fundit të kampionatit dhe është ende në lojë për titullin kampion. Në krahun tjetër, Olympicaos gjithashtu është në garë për titullin kampion në sprintin e fundit të këtij sezoni, teksa në Europë rrugët e tyre kryqëzohen në çerekfinale. Në dy takimet e para, Olympiacos ka regjistruar dy fitore ndaj ekipit turk.

Në Çeki, Viktoria Plzen pret në shtëpi finalistët e sezonit të kaluar, Fiorentina-n. Në këtë tokë, italianët nuk ia dolën ndaj West Ham edicionin e fundit, por nisen si favoritë për të prekur gjysmëfinalet, teksa kjo do të jetë përballja e parë në histori. Të dyja skuadrat kanë pasur luhatje gjatë muajt të fundit, por në këtë kompeticion kanë bërë një rrugëtim tepër pozitiv.

Në mbrëmje, në orën 21:00, Aston Villa do të presë në shtëpi skuadrën franceze të Lille, në një duel të konsideruar edhe si finalja e parakohshme. Në “Villa Park”, skuadra e Emery do të kërkojë të marrë maksimumin edhe pse përballë do të jetë ekipi më në formë i momentit në Francë. Të besuarit e Paulo Fonseca-s po përjetojnë një moment shumë të mirë, por ndaj kundërshtarëve anglezë nuk ka pasur një bilanc pozitiv me vetëm 3 fitore në 13 takime. Të dyja skuadrat ritakohen pas dy dekadash, ndërsa anglezët në shtatë takime me ekipet franceze kanë marrë 3 fitore.

Në të njëjtin orar do të luhet edhe sfida Clube Brugge-PAOK, me skuadrat që ritakohen në arenën Europiane pas më shumë se një dekade dhe pas 2 barazimeve.