Në Shqipëri, kërkohet ndalja e sinjalit të TV Ora me arsyetimin se në studio nuk u respektuan masat për COVID-19

Radio Televizionit Ora i është kërkuar të ndalë aktivitetin, pasi sipas institucioneve përkatëse në Shqipëri, ka bërë përsëritje të shkeljes së masave për parandalimin e koronavirusit.

Sipas arsyetimit të dhënë nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, në disa raste në studiot e këtij televizioni janë mbledhur më shumë se dy persona, aq sa lejohet në këtë kohë pandemie dhe nuk është mbajtur distanca.

RTV Ora e ka quajtur skandal dhe të paprecedentë këtë vendim. Përmes një njoftimi, kjo shtëpi mediale ka bërë të ditur se në dy raste dhe është gjobitur.

“Të thuash të vërtetën në Shqipëri është e vështirë sidomos në këto kohë. Një rast i paprecedentë po ndodh. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor kërkon mbylljen e sinjalit të transmetimit të RTV Ora. Një ditë pas gjobitjes në mënyrë të paprecedentë me 20 milionë lekë me argumentin e pranisë së jo më shumë se dy personave në të njëjtën studio televizive, ISHSH ndërmerr edhe një hap tjetër të rëndë duke kërkuar mbylljen e sinjalit të RTV Ora. Për herë të parë pas 30 vitesh demokraci kërkohet te mbyllet sinjali i një televizioni pasi u vendosën në mënyrë arbitrare dy gjoba ndaj emisioneve në Televizionin Ora”, thuhet në njoftimin e TV Ora.

E drejtori i informacionit i RTV Ora, Brahim Shima, thotë se me këtë vendim qëllimi është që të mbyllet televizioni dhe goja e njerëzve.

“Nuk po mbyll biznesin por po mbyll fjalën e lirë. Kemi qenë të ndershëm përballë shikuesve dhe beteja do të vazhdojë”, theksoi drejtori i informacionit Shima.