Ndeshje mes shqiptarëve e serbëve/ Në Durrës organizohen garat MMA, marrin pjesë Kosova dhe Serbia

Atë që nuk e bëri dot politika e realizoi sporti në mënyrën më të bukur dhe të natyrshme.

Natën e kaluar, në Durrës, sporti i MMA-së, arteve të përziera marciale, bëri bashkë Kosovën, Serbinë dhe vendet e tjera të rajonit, gjatë aktivitetit të organizuar nga Federata Shqiptare e Ndeshjes së lirë. Qytetarë durrsakë dhe turistë u bënë bashkë gjithashtu për të ndjekur ndeshjet që tërhoqën të gjitha grupmoshat.

Ky është sporti. Bashkon njerëz. Kemi të ftuar nga Kosova, Serbia, Mali i Zi, Greqia, Maqedonia dhe të gjithë të ftuar në një event”, thotë Arjan Rizaj, president i Federatës shqiptare të MMA

Mbi 10 ekipe të MMA-së, kryesisht nga Shqipëria dhe Kosova morën pjesë në këtë aktivitet që për herë të parë, përveç ndeshjeve për amatorë vuri përballë dhe sportistë profesionistë.

Bëjmë ndeshje profesioniste për të mbështetur sportistët tanë në të gjithë botën siç është rasti i Marko Dodës dhe Migen Pepa që vjen nga ekipi grek po që kanë zgjedhur të përfaqësojnë Shqipërinë duke zgjedhur eventin tone”, tha Rizaj.

Nën gjykimin e arbitrit ndërkombëtar Bashkim Berisha, duelet në kafaz u zhvilluan për kategoritë ”të rinj” dhe ”të rritur” për t’u mbyllur me dy ndeshje mes sportistëve shqiptarë dhe atyre kroatë.
Migen Pepa u shpall fitues ndaj kroatit Nikola Jankoviç, ndërsa finalja u mbyll me fitoren e kroatit 21-vjeçar Leon Krajaçiç ndaj përfaqësuesit tonë Marko Doda.

Gjatë eventit pati dhe një përballje për femra, që u mbyll me fitoren e 18-vjeçares nga Gjilani Erona Shabani.
Gjithmonë e më shumë, sporti i kafazit po mbledh rreth vetes të rinj pasionantë dhe mbështetës të shumtë edhe në Shqipëri.