Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, beson se skuadra e tij e humbi finalen e Kupës së Kosovës për shkak të lodhjes dhe faktit se Prishtina ishte më e pushuar.

Ballkani ngeli duar thatë dhe jashtë kualifikimeve për pjesëmarrje në Ligën e Evropës, pavarësisht se pati një sezon mbresëlënës, pasi u mund në finale të Kupës së Kosovës 1:0 nga Prishtina të mërkurën.

Otto John e shënoi golin e vetëm për triumfin e Prishtinës, i cili ua mundëson kryeqytetasve të luajnë në kualifikime për pjesëmarrje në Ligën e Evropës sezonin e ardhshëm.

Pasi dështoi në garë për titull në javën e parafundit në Ipko Superligë dhe pjesëmarrje, Ballkani e kishte kupën si trenin e fundit dhe Munishi mendon se skuadra e tij do ta kishte përfaqësuar Kosovën më së miri.

“Shpresoj se sezonit e ardhshëm do të ketë futboll më të pastër. Prishtina ishte më e freskët sepse i humbi shanset me herët për të luftuar për titull. Jam i kënaqur me angazhimin e futbollistëve të mi. Ne kemi pasur shumë ndeshje deri në fund dhe luftë të pakompromis, prandaj sot nuk ishim të freskët”, tha Munishi.

I pyetur rreth referimit dhe golit të anuluar të Ballkanit për pozitë jashtë loje, Munishi nuk deshi të komentojë.

“Nuk dua t’i komentoj rastet kontestuese. Shpresoj se vitin e ardhshëm do të luhet futboll më i pastër. Ne ndoshta do të kishim qenë skuadra që kishim luajtur futbollin më të mirë në Evropë”, shtoi ai.