Munishi nuk do të mund ta drejtojë ekipin deri në vendim përfundimtar

Komisioni Disiplinor të mërkurën gjatë ditës, në njoftimin nga faqja zyrtare e FFK-së, ka bërë të ditur se e ka pezulluar trajnerin e Ballkanit, Ismet Munishin.

Trajneri Munishi është pezulluar pa të drejtë në kryerjen e detyrës së trajnerit në udhëheqjen e ekipit për ndeshjet zyrtare të organizuara nga ana e FFK-së deri në vendimin përfundimtar të komisionit dhe kërkohet deklaratë plotësuese nga kryetrajneri Ismet Munishi lidhur me rastin.

Ky dënim i Komisionit Disiplinor për trajnerin Munishi, vjen pas një tjetër kartoni të kuq të marrë nga ai, gjatë duelit Ballkani – Gjilani, ku shkruhet po ashtu se ka bërë sjellje të gabuara, ofendime dhe provokime ndaj lojtarit kundërshtar.

Në procedurë të iniciuar disiplinore janë edhe Prishtina për lëshime në organizimin e ndeshjes kundër Trepçës ’89, si dhe trajneri Tahir Batatina për shkelje të kodit të etikës sportive në deklarimet lidhur me referimin në duelin Drita – Llapi.