“Mprihni sëpatat e sfurqet”, Meta përplaset me Yuri Kim: Boll, shiko punën tënde, më kërkoi të mbështes Dvoranin

Gjatë daljes televizive mbrëmjen e sotme presidenti Ilir Meta ka reaguar ashpër ndaj ambasadores së SHBA-së në Tiranë Yuri Kim. Dy ditë më parë Ilir Meta u kërkoi qytetarëve që të “mprihnin sëpatat e sfurqet” për të mbrojtur votën në 25 Prill, ndërsa mbrëmjen e sotme ambasadorja amerikane i kërkoi të ndalet duke i cilësuar të papranueshme deklaratat, pasi ata që nxisin dhunë, sipas diplomates së SHBA-së do të mbajë përgjegjësi.

“Është e papranueshme për këdo që të kërcënojë se qytetarët do të marrin sfurqet në 25 prill ose nëse nuk u pëlqen rezultati i zgjedhjeve. Këto kërcënime meritojnë dënim. Ata që nxisim dhunë do të mbajnë përgjegjësi për rezultatet e fjalëve dhe veprimet e tyre. Ndal”, shkroi ambasadorja Kim.

Presidenti Ilir Meta iu përgjigj direkt gjatë një interviste te SyriTv duke i kërkuar që të shikojë punën e saj dhe të mbajë vendin e saj dhe jo të ndërhyrë në Shqipëri. Ilir Meta tha Kim i kishte kërkuar që Dvorani të rikthehej në krye të KED-së.

“Meqë më dërgoi live SMS i them Ambasadores Amerikane mos e mbështet më Edi Ramën. Meqë jam transparent po ju them edhe një fakt që Ambasadorja Amerikane më ka kërkuar mua si President, një ditë para mbledhjes së KED-së të pranoj unë Adrian Dvoranin. Këtë ajo e kërkoi jo në emër të Amerikës, po në emër të Edi Ramës”, tha Meta.