Jose Mourinho

Mourinho zbulon të vetmen herë në karrierë, kur qau për humbjen në futboll

Jose Mourinho qau vetëm një herë në karrierën e tij për humbjen në futboll, si trajner. Ishte viti 2012, kur Real Madridi u eliminua me penallti nga Bayern Munich në gjysmëfinalen e Champions League. Këtë e ka rrëfyer vetë trajneri portugez në një intervistë për “Prime Video Sport”.

Le të kthehemi disa vite mbrapa, në këtë kontekst. Bayerni eliminoi Real Madridin dhe u kualifikua në finale me penallti. Skuadra e Jupp Heynckes, fitimtare 2-1 në shtëpi, u mund me të njëjtin rezultat në “Santiago Bernabéu”, pas 120 minutash të ndeshjes së dytë gjysmëfinale, por fitoi nga penalltitë.

Dopieta e Cristiano Ronaldos në 14 minutat e para dukej si prelud i një mbrëmjeje triumfale për skuadrën e Mourinhos, një hap larg fitores në La Liga, por goli i Robben i ktheu bavarezët në lojë dhe falë penalltive të pritura nga Neuer ata siguruan kualifikimin me personalitet.

 “Special One” u ul në stol më shumë se 1000 herë në karrierën e tij, por qau vetëm një herë, pas asaj humbjeje, atë natë në Madrid. Mourinho nuk i kursey fjalët për ta kujtuar atë natë pas humbjes kundër Bayernit: “Ajo natë ishte e vetmja herë në karrierën time si trajner kur qava pas një disfate. E mbaj mend mirë… Aitor Karanka dhe unë u ndalëm përpara shtëpisë time, në makinë, duke qarë. Eliminim shumë i vështirë për t’u kapërdirë, sepse ishim më të mirët në atë sezon”.

Ish-trajneri i Romës vazhdoi: “Kam qarë teksa isha me makinë për në shtëpi, pasi humba me Bayernin. Ishte e vetmja herë që e bëra këtë. Më pas mora një telefonatë nga Mendes, i cili më tha: Më bëj një nder, shko në shtëpinë e Cristianos sepse është i vdekur”.

Mourinho e kujtoi atë natë kështu: “Ne ishim skuadra më e fortë në Evropë, pa dyshim. Fituam La Liga-n, duke thyer të gjitha rekordet për pikë dhe gola. Do ta kishim fituar atë finale, nuk kam dyshim. Për të ekzekutuar penalltitë zgjodhëm Cristiano Ronaldon, Kaka dhe Sergio Ramos, të cilët ishin shumë të sigurt nga pika e bardhë. Djemtë që gabuan ishin ata që nuk gabonin kurrë në goditjen e penalltive”.

Ata që humbën penalltitë ishin, siç kujton “Special One”, CR7, Kakà dhe Sergio Ramos. Hidhërimi i José Mourinhos vjen edhe për faktin se Real Madridi nën drejtimin e tij në “Santiago Bernabeu” mburrej me një përqindje fitoreje prej 71.9% (128 fitore, 28 barazime dhe 22 humbje. Tri nga këto humbje erdhën në gjysmëfinalet e Champions League). Një zhgënjim që ndoshta nuk do t’i largohet kurrë.