Sulmuesi belg

Mourinho thotë se Lukaku mund të jetë i gatshëm për derbin me Cityn

Trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho ka zbuluar se Romelu Lukaku mund të jetë i gatshëm për derbin e qytetit që zhvillohet të dielën ndaj Manchester Cityt.

Lukaku ka stërvitur sot me skuadrën ndërsa kishte mbetur jashtë në ndeshjet me Bournemouth dhe Juventusin për shkak të problemeve muskulare.

Sulmuesi belg nuk ka shënuar gol që nga mesi i shtatorit por Mourinho do të ishte i kënaqur nëse ai do të riaftësohej nga lëndimi para udhëtimit në “Etihad”.

“Lukaku ka stërvitur me skuadrën këtë mëngjes. Nëse përgjigja është pozitive, do ta provojmë edhe në një seancë dhe nëse e kalon edhe atë atëherë Lukaku do të jetë i gatshëm. Mund të them vetëm se ai është duke stërvitur pastaj nuk e di nëse do të arrijë të jetë i gatshëm”, tha Mourinho.

United ka bërë rikthime të çmendura në dy ndeshjet e fundit në Premier League përballë Bournemouthit dhe në Champions ndaj Juventusit, sidoqoftë Mourinho shpreson që të gjejë balancin në mbrojtje në mënyrë që të mos i duhet ta ndjek rezultatin.

“Mund ta shikojmë nga një kënd tjetër, pse gjithmonë pësojmë të parët? Nuk është e mundur gjithmonë t’i rikthejmë rezultatet. Nëse vazhdojmë të parët të pranojmë gol, një ditë nuk do të jemi në gjendje për t’u kundërpërgjigjur. Pra duhet të ndryshojmë qasjen e lojës për ta filluar ndeshjen pozitivisht”, përfundoi trajneri portugez.