Trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho u nda i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Young Boysit, të cilën “Djajtë e Kuq” e fituan 1-0 në minutat e fundit me golin e Marouane Fellaini.

United rrezikoi t’i përfundonte 3 ndeshje pa shënuar gol në “Old Trafford” në ndeshjet e vlefshme për Champions League, gjë që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë, por goli i belgut i siguroi klubit anglez kualifikimin për në fazën tjetër.

Mourinho në konferencën për shtyp pas ndeshjes kishte një mesazh për kritikët e tij.

“Jam i lumtur me intensitetin që shfaqën djemtë gjatë lojës. Sigurisht se jam i lumtur me mënyrën si e filluam ndeshjen. Pastaj nuk është e lehtë për ta, të përballen me presionin e rezultatit që nuk iu përshtatet atyre. Por gjëja më e rëndësishme ishte të kualifikohemi. Dua të them diçka për disa nga ‘simpatizuesit’ e mi, për ata që i pëlqejnë statistikat. 14 sezone në Champions League, 14 herë e kam kaluar grupin, asnjëherë skuadrat e mija nuk kanë mbetur të pa kualifikuara. Sezonin kur nuk isha pjesë e Championsit, fitova Europa Leaguen, është një rekord i mirë”, tha Mourinho.

Trajneri portugez më parë e ka fituar dy herë Champions Leaguen, fillimisht me Porton në vitin 2004 dhe pastaj me Interin në vitin 2010.