Trajneri portugez

Mourinho nuk dëshiron që ky United të krahasohet me skuadrat e të kaluarës

Jose Mourinho ka thënë se skuadra aktuale e Manchester United nuk duhet të krahasohet me ato të kaluarës që përfshinin lojtarë si Roy Keane, Van Nistelrooy dhe Nemanja Vidic.

“Djajtë e Kuq” ishin dy herë në disavantazh mbrëmë në derbin ndaj Arsenalit në “Old Trafford”, por arritën të kundërpërgjigjen me golat e Martial dhe Lingard për të koleksionuar barazimin e dytë rradhazi me shifrat 2-2, pas atij me Southamptonin fundjavën e kaluar.

United ka një seri negative në Premier League, kompeticion në të cilin nuk fiton prej 4 ndeshjeve, ndërsa trajneri Mourinho ka kërkuar durim dhe kohë pavarësisht se 20 herë kampionët e Anglisë ndodhen 18 pikë prapa liderit Manchester City, kurse kanë mbetur edhe -8 pikë nga pozita e 4-të, që mbahet nga Chelsea.

“Nuk pajtohem me njerëzit që na krahasojnë neve me skuadrat e së kaluarës, me lojtarë të mëdhenj si Roy Keane, Van Nistelrooy apo edhe Nemanja Vidic, na jepni pak kohë dhe hapësirë. Jam i lumtur me karakterin dhe shpirtin e treguar, por ne nuk kemi vazhdimësi. Lojtarët mbërritën limitet e tyre dhe ishin pak të lodhur dhe Arsenali ishte i rrezikshëm vetëm kur ne e humbëm topin në zona të rrezikshme. Paraqitja ishte e mirë nga ana e karakterit, Rashford për shembull jep gjithçhka për këtë fanellë”, tha Mourinho.

Tutje 55 vjeçari vlerësoi impaktin e Paul Pogbas që u inkuadrua në lojë vetëm në 15 minutat e fundit ndërsa kritikoi mbrojtësit për problemet që kishin në ndërtimin e lojës duke i hapur telashe edhe portierit De Gea.

Manchester United ndeshjen e rradhës e zhvillon sërish në shtëpi, teksa e pret të shtunën Fulhamin në “Teatrin e Ëndrrave”.