Mourinho nuk dënohet pasi u pretendua se përdori fjalë fyese

Federata e Futbollit të Anglisë (FA) përmes një komunikata ka njoftuar se nuk ka arritur të dëshmohet akuza se trajner i Manchester Unitedit, Jose Mourinho ka përdorur fjalë fyese në përfundim të sfidës së fituar 3-2 ndaj Newcastle.

Portugezi ishte akuzuar për sjellje të papërshtatshme, abuzive dhe fyese drejtuar kamerës pas fitores dramatike të skuadrës së tij përballë Newcastle në “Old Trafford”.

FA ka hedhur poshtë këto akuza ndërsa nuk e përjashtuar mundësinë e një tjetër apeli.

“Dënimi ndaj Mourinhos për akuzat se kishte përdorur gjuhë abuzive nuk ka arritur të dëshmohet në bazë të Komisionit të Pavarur Rregullativ. Ky vendim është një subjekt që mund të apelohet”, përfundohet shkesa e FA.

Fitorja e arritur nga United erdhi pas një serie negative të “Djajve të Kuq”, teksa e ardhmja e 55 vjeçarit ishte vënë në dyshim, me Mourinhon që e drejtoi gishtin nga mediat për tentim të largimit të tij nga pozita e trajnerit.