Jose Mourinhos beson se Kylian Mbappe është dukshëm futbollisti më i vlefshëm në botë, dhe se momentalisht blerja e sulmuesit francez është gjë e paarritshme.
Mbappe iu bashkua Paris Saint-Germainit nga Monaco në vitin 2017 për 180 milionë euro, por që prej atëherë vlera e tij është rritur shumë më shumë.
Paratë që PSG-ja i pagoi për të e bënë Mbappen adoleshentin më të shtrenjtë si dhe futbollistin e dytë më të shtrenjtë në histori, pas bashkëlojtarit të tij te PSG-ja, Neymar.
Dhe Mourinho, i cili kohë më parë pati thënë se Mbappe është më i vlefshëm se Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi në tregun e transferimeve, thekson se asnjë klub në botë nuk mund të blejë Mbappen.
“Nuk them se tani ai është futbollisti më i mirë në botë. Por, sipas mendimit tim, ai është ndër më të vlefshmit në treg”, tha Mourinho për Canal Plus.
“Nëse do të isha trajner në ndonjë klub, as që do të mendoja për Mbappen sepse atë nuk mund ta blesh, nuk ke qasje. Nëse dikush dëshiron ta blejë, atëherë i uroj fat!” shtoi Mou.







