Manchester United po kalon nëpër një formë të dobët teksa ka mbetur 8 pikë prapa vendit të katërt që mbahet nga Arsenali, skuadër e cila e viziton nesër “Old Traffordin” për të zhvilluar derbin e javës së 15-të në Premier League.

Trajneri i “Djajve të Kuq”, Jose Mourinho pas ndeshjes së përfunduar në barazim 2-2 ndaj Southamptonit, deklaroi se skuadrës së tij i duhet një mrekulli për të përfunduar sezonin në vendin e 4-të, por si duket tashmë portugezi është distancuar nga qëndimi i tij i para tre ditëve.

United nuk fiton qe 3 ndeshje në Premier League, por Mourinho ka shpresa se 20 herë kampionët e Anglisë mund të zbusin distancën me rivalët për kualifikimin në Champions League.

“Nuk e di nëse kam thënë apo jo diçka të tilë, por edhe nëse kam thënë, nuk i ndjej ato fjalë. Kemi 8 pikë më pak se vendi i katërt, nuk besoj se kemi nevojë për një mrekulli. Na duhet një seri pozitive e rezultateve dhe mos të lëshojmë pikë që nuk duhet t’i lëshojmë. Para ndeshjes ndaj Crystal Palacet pata thënë se shpresat e mija janë që të ndodhemi në atë pozitë në fund të dhjetorit. Objektivi ka ndryshuar por duhet të tentojmë që të ngushtojmë distancën me skuadrat që mbajnë këto vende”, tha Mourinho.

55 vjeçari ka kërkuar nga disa prej lojtarëve të tij të bëjnë paraqitje më të mira, ndërsa shpreson që në vazhdim të mos përballet me problemet e lëndimeve.

Ndeshja Manchester United-Arsenal zhvillohet nesër me fillim prej orës 21:00.