Jose Mourinho

Mourinho është shkarkuar nga 6 klube, por kjo e ka bërë milioner nga kompensimet

Shkarkimi i Jose Mourinhos nga Roma është i 6-ti në karrierën e trajnerit. Me një kontratë ende në fuqi, “Special One” do të ketë të drejtën e dëmshpërblimit, i cili nuk do të jetë aq i madh, sa ai që ndodhi në klubet e tjera, pasi kontrata me verdhekuqtë përfundon në qershor të këtij viti.

Por edhe kështu, mësohet se vlera që do të përfitojë portugezi është rreth 3.5 milionë euro. 

Sipas llogarive të ‘Daily Mail’, Mourinho do të ketë fituar rreth 93 milionë euro në karrierën e tij vetëm si kompensim i paguar nga klubet nga të cilat ai u shkarkua.

Hera e parë që iu kërkua të largohej ndodhi te Chelsea, në vitin 2017. Ai mori 20.9 milionë euro. Më pas pasoi Real Madridi, nga ku u largua në vitin 2013, duke u kompensuar me 19.7 milionë euro.

Ai u kthye te Chelsea, por u largua nga “Stamford Bridge” në vitin 2015, me 9.6 milionë euro të tjera në xhep.

Dëmshpërblimi më i madh që ka marrë deri më tani është 22 milionë euro nga Manchester United.  Mourinho u shkarkua në dhjetor 2018, menjëherë pas rinovimit të kontratës deri në vitin 2020.

Pas një periudhe pushimi, trajneri portugez drejtoi Tottenham, ku kaloi 17 muaj, duke iu kërkuar përfundimisht të largohej pak para se të luante në finalen e Kupës së Ligës në vitin 2021. Ka marrë 17.4 milionë euro, ende sipas shifrave të ‘Daily Mail’.

Te Roma thuhet se ka marrë një nga rrogat më të mira mes trajnerëve në Serinë A, duke marrë tashmë 3.5 milionë euro.