Morata shënon, por nuk e kupton dhe simulon, befason me reagimin e tij

Atletico Madrid ka mundur 2-0 Elche-n në ndeshjen e parë të kampionatit spanjoll pas ndërprerjes për shkak të Kupës së Botës. Skuadra e Diego Simeone-s është ngjitur në vendin e tretë të renditjes me këtë fitore dhe Cholo shpreson që të jetë fillimi i një rrugëtimi më të mirë në krahasim me atë të bërë në pjesën e parë të sezonit.

Golat e fitores janë shënuar nga Joao Felix dhe Alvaro Morata, që në pjesën e dytë kanë konkretizuar supremacinë e Atletico-s pas kartonëve të kuq të Gonzalo Verdù dhe Mario Hermoso.

Ai që ka përfunduar në qendër të vëmendjes dhe ka shkaktuar disa të qeshura ka qenë pikërisht sulmuesi spanjoll, për sjelljen e tij në rastin e golit të dytë të madrilenëve.

Pasi ka kaluar një kundërshtar, ish-sulmuesi i Juventus ka goditur drejt portës dhe ka marrë një goditje nga Clerc, mbrojtësi i Elche-s. Topi është ngritur lart pas një devijimi dhe ka përfunduar në rrjetë, me portierin Edgar Badia që nuk ka mundur të bëjë dot asgjë.

Një situatë pak komike. Morata ka rënë në tokë pasi ka gjuajtur topin dhe ka mbajtur këmbën. Më pas ka kuptuar se skuadra kishte shënuar dhe është ngritur menjëherë në këmbë dhe ka vrapuar drejt Griezmann.

Pikërisht futbollisti francez dhe Reguilon i kanë shpjeguar se golin e kishte shënuar ai. Në video e publikuara në minutat pasuese nga La Liga TV lexohen buzët e Morata-s, i cili u thotë shokëve: “Është i imi?”.

Pas ndeshjes, Alvaro ka folur për Movistar: “Isha në tokë dhe mendova se kishte shënuar Griezmann. Mendoj se ai e kishte prekur për herën e fundit topin. Përveçse është një lojtar i madh, është një djalë shumë i mirë. “Jemi të gëzuar për gjithçka të mirë që i ndodh, sepse punon, është një djalë shumë i mirë dhe shpresoj që të qëndrojë për një kohë shumë të gjatë tek Atletico”.