Momenti kur Policia e ndali autobusin e Crvena Zvezdës që po ia mësynte Kosovës (Video)

Momenti kur Policia e Kosovës nuk e lejoi autobusin e mbushur me futbollistët dhe stafin e Crvena Zvezdës të hyjë në territorin kosovar është shpërndarë gjithandej nëpër mediat serbe. Videon e plotë mund të shikoni më poshtë.

Ndeshja e planifikuar të zhvillohet sot në orën 15:00 mes klubit serb nga Kosova, Trepçës, dhe Crvena Zvezdas në territorin e Kosovës nuk do të zhvillohet pasi që Policia e vendosur në Jarinë nuk i lejoi serbët të futen në territorin kosovar.

Federata e Futbollit e Kosovës kishte lajmëruar se ndeshja nuk do të zhvillohet dhe për këtë gjë kishte kërkuar ndihmë nga Policia e Kosovës, e cila e kishte detyrën për t’i ndalur futbollistë serbë të hyjnë në territorin e Kosovës.

FFK-ja e ka kundërshtuar pjesëmarrjen e klubeve serbe nga Kosova në garat e Serbisë, duke insistuar se vetëm ajo ka të drejtë të organizojë gara në territorin e Kosovës dhe për këtë tentim të Serbisë për të ndërhyrë në territorin kosovar është ankuar edhe në UEFA e FIFA.

Në vend të kësaj, gazeta serbe Kurir raporton se ndeshja Trepça – Crvena Zvezda, në kuadër të Kupës së Serbisë, do të zhvillohet në Serbi nesër në orën 17:00, e jo sot në orën 15:00 në Kosovë siç ishte planifikuar fillimisht.

Të pranishëm në Jarinë ishin edhe një grup i tifozëve të Zvezdës, që provokuan me këngë “Oj Kosovë, oj vendi im”, liderët e dy klubeve dhe presidenti i Listës Serbe, Goran Rakic.

loading…