Mesfushori i Real Madridit, Luka Modric pasi që triumfoi mbrëmë në garën për Topin e Artë, ia ka dedikuar këtë sukses të gjithë futbollistëve tjerë që në të kaluarën e kanë merituar suksesin në trofeun më të rëndësishëm individual por që nuk kanë arritur ta fitojnë.

Dyshja, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo e kanë dominuar këtë trofe duke e fituar nga 5 herë secili në 10 vitet e fundit, megjithatë Modric i dha fund këtij dominimi, teksa shpallja kampion i Champions Leagues me Real Madridin dhe arritja në finalen e Kupës së Botës me Kroacinë i ndihmoi 33 vjeçarit të lë pas të gjithë rivalët.

Modric që në shtator fitoi edhe çmimin e FIFA-së për lojtarin më të mirë të vitit, e pranoi kualitetin e Messit dhe Ronaldos, ndërsa triumfin e tij në garën për Topin e Artë e cilësoi si fitore për futbollin.

“Messi dhe Ronaldo kanë qenë në formë të jashtëzakonshme në 10 vitet e fundit. Ndoshta në vitet e fundit ka pasur disa lojtarë që kanë mundur ta fitojnë Topin e Artë, si Xavi, Iniesta apo Sneijder. Njerëzit dëshironin ta shihnin dikë tjetër, mendoj se është fitore për futbollin. I lumtur që jam fituesi por ky çmim është për të gjithë futbollistët që e kanë merituar trofeun por nuk e kanë fituar”, deklaroi Modric.