Ministrja Haradinaj Stublla: Njohja e Kosovës nga Izraeli është hap historik në konsolidimin ndërkombëtar të shtetit tonë të ri​ ​​

Njohja e Kosovës nga Izraeli është hap historik në konsolidimin ndërkombëtar të shtetit tonë të ri, si dhe avancimin e bashkëpunimit dypalësh në shumë drejtime.​​

Kështu është shprehur në Washington, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, pas njoftimit të Kryeministrit Benjamin Netanyahu për njohjen e Kosovës nga Izraeli.​​“Miqësia e historike që kemi pasur me Izraelin, si dy popuj liridashës, lindi nga Besa e dhënë, kur hebrenjtë e persekutuar gjatë luftës së dytë botërore, gjetën shtëpinë e tyre mes shqiptarësh, shtëpi që është e Zotit dhe e mikut”, tha Ministrja Haradinaj Stublla. Kryediplomatja e Kosovës tha se me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht me rolin e pazëvendësueshëm të Presidentit Donald Trump, por dhe me lidhjen e fortë ndër dekada midis dy popujve e shteteve, njohja reciproke Kosovë – Izrael u kapitalizua me gurthemelin mbi të cilin do ndërtohen e forcohen marrëdhëniet midis dy vendeve.​​

“Mezi pres të hapim Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem”, tha Ministrja Haradinaj Stublla, duke e falënderuar edhe njëherë Izraelin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën e dhënë Kosovës në konsolidimin e shtetit dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.