Haziri: Ballafaqimi i Kurtit për anëtarësimin në KiE është humbje për Kosovën

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se ballafaqimi i kryeministrit, Albin Kurti me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës është një dështim për Kosovën, por jo fitore për Serbinë.

Haziri e krahasoi kushtëzimin e ndërkombëtarëve në lidhje me anëtarësimin në KiE me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Sipas tij, kjo situatë e ka kthyer vendin në vitin 2017.

“Kërkesë shtesë ka qenë prej BE-së ligji për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, por Kurti e ka shfrytëzuar për konsum të brendshëm dhe ia ka vonuar Kosovën liberalizimin 6 vjet. Kjo ka ardhur si kërkesë e NATO-s, për nevojën e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, s’ka pasur lidhje me Kosovën”, u shpreh Haziri.

“Nuk kemi mundur ta menaxhojmë sepse VV-ja dhe partnerët atë kohë të opozitës e kanë shfrytëzuar për konsum të brendshëm. Sot, situata me anëtarësimin në Këshillin e Evropës, e ka kthyer Kosovën në vitin 2017”, tha Haziri në Klan Kosova.

Sipas tij,  Qeveria Kurti në tri vjet qeverisje ka pasur mungesë koordinimi me partnerët ndërkombëtarë në çështjen e interesit të përbashkët.

“S’ka pasur veprime të njëanshme, por situatat e reja që janë krijuar në Kosovë, janë krijuar jashtë koordinimit me partnerët. Koordinimin e vetëm e kemi pasur më 24 shtator në rastin e Banjskës kur u sulmuam nga grupi terrorist dhe reagimi ka qenë i koordinuar”, tha ai.