Ministrja Haradinaj – Stublla falënderon shqiptaro-amerikanët për aleancën Kosovë – SHBA ​​​

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës,  znj.Meliza Haradinaj –Stublla, përpara se të niset në Washington për takime me zyrtarë të Shtetit, të martën është takuar në New York me biznesmenë e përfaqësues të tjerë të shqiptarëve të Amerikës.   ​​

Për Kryediplomaten e Kosovës ishte nder i veçantë të takoj në Bronx të Nju-Jorkut bashkarisht veprimtarët shqiptaro-amerikanë, z. Hajdar (Harry) Bajraktari, znj. Lisa Milicaj, z. Rrustem Gecaj, dhe z. Man Celaj.​​“Ua përcolla të falat e përzemërta nga Kosova, dhe falënderimin e thellë për kontributin e pashembullt dhe të vazhdueshëm të tyre në ruajtjen dhe kultivimin e lidhjeve të forta shqiptaro-amerikane”, tha Ministrja Haradinaj Stublla, duke kujtuar edhe të kaluarën e tyre jo edhe aq të lehtë për të arritur aty ku janë dhe për t’i ndihmuar kauzës shqiptare.

​​“Migruan në Amerikë në kohërat më të vështira, ndihmuan afirmimin e çështjes së Kosovës atëherë kur ne nuk kishim zë, ndërsa sot gëzojnë reputacion të lartë në shoqërinë politike e të biznesit në SHBA, duke mirëmbajtë me shumë përkushtim e vizion aleancat tona me Shtetet e Bashkuara”, tha shefja e diplomacisë së Kosovës.​​Gjatë këtij takimi, Ministrja Haradinaj Stublla takoi edhe anëtarin e Këshillit të Bashkisë së Nju Jorkut, z. Ritchie Torres, me të cilin bashkëbisedoi për zhvillimet historike e aktuale në Ballkan, si dhe për aspiratat politike e strategjike të Republikës së Kosovës. ​​

“Kisha kënaqësinë që në këtë mes të takoj edhe z. Ritchie Torres, prej të cilit kërkova që të mos e harrojë Kosovën, pavarësisht se ku do ta shpie e ardhmja e tij politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Ministrja Haradinaj – Stublla, e cila nga këtu vizitën e saj të parë zyrtare në SHBA do ta vazhdojë në  Washington.