Igli Hasani

Ministri Hasani në Pragë: NATO të mos e largojë vëmendjen nga rajoni i Ballkanit Perëndimor

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, mori pjesë në takimin informal të ministrave të jashtëm të NATO-s, takim ky i cili u zhvillua në Pragë (Republika Çeke) në datat 30 – 31 maj 2024.

Hasani rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s, teksa theksoi gjithashtu domosdoshmërinë që NATO mos të largojë vëmendjen e saj nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, pasi kjo kontribuon në paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë.

“Samiti i NATO-s në Uashington, duhet t’i japë Ballkanit Perëndimor vëmendjen që meriton, veçanërisht përballë sfidave të jashtme të sigurisë. Në takimin e sotëm jozyrtar të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Pragë, rikonfirmuam mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën e lirë dhe sovrane dhe angazhimin tonë për të forcuar parandalimin dhe mbrojtjen tonë kolektive. Shqipëria mbetet e vendosur për të luajtur rolin e saj si aleate e palëkundur e vlerave euroatlantike”, theksoi ministri Hasani, pas takimit, njofton MEPJ e Shqipërisë.

Ministrat aleatë trajtuan progresin e vendimeve të marra në Samitin e Vilniusit, të cilat synojnë që NATO të vijojë të ruajë paqen, të parandalojë konfliktet dhe të mbrojë popullatën dhe vlerat e territorit aleat, prioritetet e Samitit të Uashingtonit dhe veçanërisht vijimin e ndihmës për Ukrainën.

Ministrat e vendeve aleate u mblodhën në një sesion të vetëm informal, ku riafirmuan mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën dhe diskutuan se si mund të forcojnë mbështetjen e mëtejshme të Ukrainës në terma më afatgjatë.

Ky është takimi i fundit në nivel të Ministrave të Jashtëm në parapërgatitje të Samitit të Uashingtonit, që shënon dhe 75-vjetorin e Aleancës.