Mesazhi i tifozëve të Liverpoolit i ndërpret stërvitjet e Manchester Unitedit (Video)

Tifozët e Liverpoolit e punësuan një avion për t’u tallur me Manchester Unitedin gjatë një seance stërvitore në Perth të Australisë, ku “Djajtë e Kuq” janë duke e filluar turneun parasezonal.

Disa tifozë të Liverpoolit vendosën t’ua rikujtojnë rivalëve suksesin e tyre në Ligën e Kampionëve. Këtë e arritën duke e shfaqur një pankartë në qiell, e cila tërhiqej nga një avion.

Skuadra e Ole Gunnar Solskjaerit ka udhëtuar në Australi për turneun e tyre parasezonal, pas një fundi zhgënjyes në sezonin e kaluar.

Para se Manchester Unitedi ta fillonte ditën e tretë të stërvitjeve në kampin WACA në Australi, një avion me një pankartë u shfaq në qiell.

Pankarta me shkrimin “Liverpool FC – 6 herë kampionë evropianë!” kaloi mbi kampin stërvitor të Manchester Unitedit.

Liverpooli e përfundoi sezonin 2018/19 duke u dhënë fund ecurisë prej shtatë vjetëve pa asnjë trofe. Skuadra e Jurgen Klopp u shpall kampione e Evropës për të gjashtën herë në histori, pasi e mposhti Tottenhamin në finale.

Manchester Unitedi e ka fituar titullin e Ligës së Kampionëve tri herë, në vitet 1968, 1999 dhe 2008.

Djemtë e Solskjaerit erdhën në Perth të hënën dhe skuadra e kompletoi stërvitjen e parë të martën, ku edhe lojtarët e rinj, Aaron Wan-Bissaka dhe Daniel James, morën pjesë.