Real Madridi ka vazhduar me punën për largimin e futbollistëve nga “Santiago Bernabeu”.
Së bashku me futbollistë që ishin në huazim, Reali ka një skuadër prej afër 40 futbollistëve – por që ka nisur tashmë të zvogëlohet.
Mateo Kovacic është shitur përfundimisht në Chelsea për 45 milionë euro, Marco Llorente në Atletico Madrid për 40 milionë si dhe të fundit janë Theo Hernandez dhe Raul de Tomas.
Raul de Tomas tashmë është zyrtare, ai është shitur për 20 milionë euro te Benfica, me të cilën skuadër ka nënshkruar kontratë deri më 2024.
Kurse Theo tashmë ka kaluar testet mjekësore te Milani dhe vetëm pritet zyrtarizmi, raportohet se 21-vjeçari është transferuar te Kuqezinjtë për 20 milionë euro.
Në total, me vetëm këto shitje, Real Madridi ka fituar 125 milionë euro, ndërsa me afrimin e Eden Hazard, Eder Militao, Ferland Mendy, Jovic e Rodrygo ka shpenzuar 305 milionë euro.
Megjithatë, ky është vetëm fillimi, pasi deri në fund të afatit kalimtar veror, Reali do të fitojë edhe më shumë para nga shitjet e futbollistëve.
James Rodriguez është rrugës për t’u larguar, nga i cili Reali shpreson t’i rrëmbejë të paktën 45 milionë euro.
Futbollisti tjetër që nuk e do Zidane është Bale, ai vlerësohet 80 milionë euro, kurse këtij spastrimi nuk do t’i shpëtojë as Mariano, kartoni i të cilit vlerësohet 30 milionë euro.
Nga Reali mund të largohet edhe Isco, i cili vlen 80 milionë euro.
Keylor Navas dhe Lucas Vázquez janë të tjerë futbollistë që mund të shiten, për të grumbulluar milionat që Reali dëshiron, pasi do të shpenzojnë ende në këtë merkato.
Paul Pogba dhe Christian Eriksen janë objektivat e radhës të Zinedine Zidane.







