Mbrojtësi i Shkupit para ndeshjes ndaj Ballkanit: E dimë forcën e kundërshtarit por ne duam rezultat pozitiv

Faza “play-off” e Ligës së Konferencës do të sjellë duelin më interesant kësaj radhe – atë mes shqiptarëve.

Në këtë fazë, Shkupi dhe Ballkani janë kundërshtarë për një vend në fazën e grupeve.

Kjo ndeshje do të zhvillohet të enjten e 18 gushtit nga ora 21:00 në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup, shkruan Demokracia.com.

Kurse, pas një jave, ndeshja e kthimit do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Mbrojtësi i Shkupit, Besir Demiri ka thënë se skuadra e tij do rezultat pozitiv.

“E di për kualitetin e skuadrës së Ballkanit, por ne jemi të qetë, kemi punuar gjatë gjithë këtyre ditëve në mënyrë intesive me qëllim që të marim një rezultat pozitiv”, tha mbrojtësi shqiptar.

“Sigurisht që përparësi e jona është tereni vendas dhe tifozët, por nuk duhet të mashtrohemi nga kjo sepse kjo ndeshje është vetëm njëra pjesë”, tregoi ai.

“Me ekipin unë jam bashkuar më vonë andaj si startues apo nga banka rezervë vendos trajneri por sidoqoftë unë jam i gatshëm të jap më të mirën nga vetja”, deklaroi Besir Demiri.

Ndryshe, në rast të fitores në të dyja ndeshjet ndaj Shkupit, Ballkani do të bëhej skuadra e parë nga Kosova që kualifikohet në fazën grupore të një gare evropiane.