Gjilan

Mbi 14 milionë euro, përzgjidhet ofertuesi më i shtrenjtë – Renovimi i Stadiumit të Gjilanit në duart e “dostave” të Alban Hysenit

Komuna e Gjilanit ka nënshkruar kontratë me vlerë prej 14 milionë e 997 mijë eurosh për renovimin e stadiumit të Gjilanit. Kjo kontratë u është dhënë disa operatorëve ekonomik që kanë oferuar me çmimin më të lartë. Pronarët e kompanive fituese për renovimin e stadiumit janë pronarë edhe të klubit “SC Gjilani”, ku klubi luan ndeshjet.

Pas pezullimit të aktivitetit të tenderit gjatë muajit mars, Komuna e Gjilanit tashmë ka arritur marrëveshje për tenderin me titull: “Renovimi i Stadiumi të Qytetit të Gjilanit”.

Vlera e kontratës me të cilën janë shpërblyer grupi i operatorëve ekonomik është gati 15 milionë euro.

Ky grup ka fituar tenderin me çmimin më të lartë të ofertës edhe pse Komuna e Gjilanit e udhëhequr nga kryetari Alban Hyseni, ka thënë se ky grup ka ofertuar me çmimin më të lirë.

Kemi kënaqesinë të ju njoftojmë se ju keni dorëzuar [tenderin me çmimin më te ulët] si përgiigje ndaj [njoftimit të kontratës] për aktivitetin e prokurimit të lartëcekur. Juve ju është dhënë kontrata me çmimin e ofertuar dhe sipas kushteve të saktësuara në tenderin tuaj dhe në pajtim me afatet dhe kushtet të cilat kanë qenë të specifikuara në Njoftimin për Kontratë dhe në dokumentet të cilat e përbëjnë dosjen e tenderit. Çmimi i cili është ofertuar 14,997.804.00 euro” – thuhet në letrën standarde për tenderuesin e sukseshëm.

Operatorët ekonomikë që e kanë fituar këtë kontratë janë: Demiri Gartenbau GmBH; AVAG GROUP SH.P.K: El-Bau SH.P.K: Bujar Shabani B.I; KOSOVA ASFALT SH.P.K dhe K.N.T.SH Teuta-M SH.P.K

Për këtë tender kanë aplikuar edhe dy grupet të tjera të operatorëve ekonomikë me çmim më të ulët se kompanitë që kanë fituar tenderit.

Ata janë eliminuar për shkak se nuk kanë plotësuar kushtet e parapara me ligjin për Prokurimin Publik.

Kush janë kompanitë që kanë fituar tenderin?

Dy kompanitë që bëjnë pjesë në grupin e operatorëve ekonomikë për renovimin e stadiumit, janë pronar të klubit të futbollit nga ky qytet “SC Gjilani”.

Pronari i kompanisë El-Bau, Fatlum Pireva dhe pranari i kompanisë “Demiri GartenBau GmbH” Qëndrim Demiri janë aksionarë në klubin e futbollit “KF Gjilani”.

Gjithashtu, sipas burimeve të Nacionales, pronarët e këtyre dy kompanive janë persona të afërt me drejtoreshën e Arsimit të Komunës së Gjilanit, Albana Demiri.

Bile Fatlum Prieva e kishte uruar publikisht Albana Demirin për postin e drejtoreshës së Arsimit.

Sipas një postimi, të dy këto kompani, në vitin 2023 kishin bërë një donacion për Drejtorinë e Arsimit.

Në një postim në Facebook, Drejtoria Komunale e Arsimit DKA – Gjilan kishte falënderuar El-Bau & Demiri Gartenbau GmbH për dhurimin si donacion të rripave të sigurisë, për të gjithë fëmijët e klasës së parë të kësaj komune.

Po ashtu, kompania tjetër pjesë e fituesve të tenderit, është kompania “Bageri” si dhe kompania tjetër e po kësaj firme “Kosova Asfalt”.

Kujtojmë se vlera e tenderit për renovimin e stadumit të këtij qyteti ishte paraparë 15 milionë euro.

Ndërkohë, dy klubet e suksesshme kosovare të këtij qyteti, Drita e Gjilani që disa vite tashmë kanë mbetur “pa shtëpi”, shkaku që stadiumi i Qytetit ishte paraparë të niste të ndërtohej qysh në vitin 2017.