Qendra Multimedia

“Mbi 10 orë në polici”, “të sulmuar fizikisht”: Artistët e shfaqjes “The Handke Project” thonë se ishin cak i dhunës nga Policia e Shqipërisë

Qendra Multimedia pretendojnë se artistët nga Kosova kanë qenë cak i dhunës policiore në Shqipërië.

Sipas njoftimit të tyre, gjatë rrugës për në Kosova nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” një ekip i shfaqjes “The Handke Project” janë mbajtur “me dhunë e terrorizuar nga policia e shtetit shqiptar.

Aty thuhet se artisët janë mbajtur mbi 10 orë ndërsa janë liruar sot në mëngjes.

Gjatë këtyre rreth dhjetë orëve kemi qenë pre e një terrori sistematik, kemi qenë të sulmuar fizikisht e psiqikisht nga vagabondë të veshur në uniforma policore. Për një kohë kaq të shkurtër disa-orëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektivë të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhën seksiste, dhunën psiqike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre. Ne thjesht, ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre.” – thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.

Reagimi i plotë:

Artistët nga Kosova bëhen subjekt i dhunës policore në Shqipëri

Mbrëmë vonë u kthyem nga Firenze, ku e kishim luajtur shfaqjen tonë “The Handke Project”. Përgjatë rrugës për në Kosovë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, një pjesë e ekipit të shfaqjes u ndaluam në Kukës, ku jemi mbajtur me dhunë e terrorizuar nga policia e shtetit shqiptar.

U mbajtëm për mbi 10 orë, fillimisht në oborrin e stacionit policor në Kukës, e më pastaj në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë. Përfundimisht, na lanë të lirë mëngjesin e sotëm, pasi u sqarua se ishim arrestuar e mbajtur gabimisht.

Megjithatë e ndiejmë të nevojshme t’ju informojmë se gjatë kësaj aventure jo të këndshme, megjithëse kemi takuar e njohur punonjës policie të zellshëm, të sjellshëm, profesionalë e dashamirës, pamja e përgjithshme e Policisë së Shqipërisë është ajo e një ngrehine dhune të normatizuar. Gjatë këtyre rreth dhjetë orëve kemi qenë pre e një terrori sistematik, kemi qenë të sulmuar fizikisht e psiqikisht nga vagabondë të veshur në uniforma policore. Për një kohë kaq të shkurtër disa-orëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektivë të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhën seksiste, dhunën psiqike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre. Ne thjesht, ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre. Ndërkohë, atyre qe janë sjellur njerëzisht me ne, u themi faleminderit. Duam të besojmë që këta janë policia e vërtetë e shtetit shqiptar.

U themi faleminderit edhe miqëve, kolegëve, përfaqësuesve të institucioneve në Kosovë e Shqipëri dhe të gjithë atyre që janë shqetësuar e kanë bërë telefonata për të na kthyer në Kosovë sa më parë dhe krenarë, ashtu siç po ktheheshim nga Firenze e Italisë, ku ishim dhe e shfaqëm me sukses shfaqjen ‘The Handke Project’ në Teatro di Rifredi atje.

Ekipi i shfaqjes “The Handke Project”.