Mbappe beson se duhet të jetë më vendimtar në mënyrë që ta fitojë Topin e Artë
Pavarësisht se e fitoi trofeun “Kopa” që ndahet për futbollistin më të mirë nën moshën 21 vjeçare, dhe pasi që përfundoi në vendin e 4-të në garën për Topin e Artë, Kylian Mbappe mendon se duhet të tregohet më vendimtar për të triumfuar në kompeticionin më të rëndësishëm individual.
Fituesi i Kupës së Botës me Francën shënoi 32 gola në 56 paraqitje me Paris Saint Germainin dhe kombëtaren e “Gjelave”, teksa la prapa në renditjen e Topit të Artë edhe Lionel Messin.
“Bëra gjithçka çfarë munda por jo gjithçka çfarë munda për të fituar Topin e Artë. Këtu qëndron dallimi. Kishte periudha kur unë nuk isha vendimtar sa duhet. Kjo tregon se kam shumë për të bërë për ta fituar këtë trofe duke ruajtur përulësinë. Duhet të jem vendimtar nga muaji janar deri në dhjetor sepse Topi i Artë vendoset gjatë kësaj periudhe”, nënvizoi Mbappe.
Kylian Mbappe është golashënuesi më i mirë në top 5 kampionatet europiane, teksa ka realizuar 12 gola në Ligue 1 me fanellën e PSG-së.