Administratori i deleguar për çështjet sportive te Interi e konsideron një dëm të pakorrigjueshëm episodin e shënuar në finalen e sfidës Fiorentina-Inter.
“Kemi pësuar një dëm të pakorrigjueshëm, do të kishte qenë ndryshe situata nëse vendimi i gjyqtarit do të kishte ardhur pas minutës së pestë të lojës. Jam i indinjuar, sepse futbolli italian ka implementuar sistemin VAR me qëllimin e vetëm për të ulur marzhin e gabimeve njerëzore, por me sa duket i gjithë sistemi duhet riparë. Për Interin ky është një dëm që nuk zhbëhet dot dhe shpresoj që të mos rezultojë fatal në objektivat e rezultateve që duam të arrijmë. VAR-i duhet të garantojë vendime objektive, prandaj gabimi i Abissos është i pabesueshëm, ndoshta më i madhi që kur kemi futur teknologjinë në lojë. Dhe nuk dua të justifikoj askënd me idenë e presionit të ndeshjes dhe tensionit, duhet parë me vëmendje pozicioni i atyre që mbajnë përgjegjësi për një episod të tillë.”
Në deklaratën e Marottas zë vend edhe një hapësirë për çështjen e shumëdiskutuar, “Icardi”.
“Sa u takon deklaratave të Wandas? Duke parë ndeshjen e fundjavës ndaj Fiorentinës, dua të theksoj mirënjohjen time për të gjithë skuadrën e Interit. Për Icardin kam vetëm një këshillë përgjithësuese, u fol shumë për këtë çështje, është më mirë nëse ndalojmë së foluri.”







